BE autorizon ndërhyrje ushtarake për të frenuar valën e emigrantëve
Bruksel, 19 maj - Bashkimi Europian miratoi ndërhyrjen ushtarake në det me synim pengimin e refugjatëve që vijnë nga Afrika e Veriut.
Përdorimi i forcës ushtarake u autorizua për të penguar çdo përpjekje për hyrje të paligjshme në territorin europian. Në të njëjtën kohë mbledhja urgjente e ministarve të Jashtëm të BE-së në Luksemburg miratoi gjithashtu rritjen e kapaciteteve të patrullave kërkimit dhe shpëtimit në Detin Mesdhe.
Shefja e Politikës së Jashtme e BE-së Federica Mogherini u bëri gjithashtu thirrje autoriteteve të Libisë të punojnë më shumë për të goditur bandat e trafikimit të qenieve njerëzore.
\"Jemi në kërkim të një partneriteti në këtë drejtim pasi nuk është vetëm përgjegjësi e Bashkimit Europian, por mbi të gjitha e vetë libianëve për të marrë masa në territorin e tyre, kufijtë e tyre dhe në kufijtë detarë. Prandaj pra jemi duke kërkuar për partneritet. \"
Këtë vit numërohen thuajse 1800 të vdekur gjatë përpjekjeve të paligjshme për të kaluar nga Afrika e Veriut në drejtim të territorit europian.
Temperaturat e ngrohta dhe kushtet më të mira të detit besohet se mund të shtojnë valën e refugjatëve që i drejtohen territorit europian.