Bashkimi Evropian nis shpërblimin për gazetari hulumtuese në rajon
Prishtinë, 16 mars - Shpërblimi për Gazetari Hulumtuese është themeluar nga Komisioni Evropian, pas strategjisë për Zgjerim të BE-së, e cila paraqet nevojën e madhe për sigurim të lirisë së shprehjes në media dhe për mbështetje të gazetarisë hulumtuese për të monitoruar proceset e reformimit dhe për të ruajtur momentin historik drejt pranimit në BE.
Ajo ka për qëllim kremtimin dhe promovimin e të arriturave të shquara të gazetarëve hulumtues dhe përmirësimin e dukshmërisë së gazetarisë hulumtuese cilësore në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ky shpërblim i BE-së për gazetari hulumtuese do të jepet për çdo vit në secilin prej shtatë vendeve të rajonit për periudhën e ardhshme tre vjeçare.
Ky shpërblim administrohet nga partneriteti rajonal i organizatave të shoqërisë civile, i koordinuar nga Instituti për Paqe në Lubjanë, i përzgjedhur për këtë detyrë nga Komisioni Evropian. Partner në Kosovë është Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës.