Azilkërkuesit kosovar shqetësojnë vendet e BE-së
Në takim me Ministrin Francez, Ministri Hyseni foli gjerësisht për gjendjen në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë dhe për aspektet e tjera të përgjithshme duke u ndalur në vecanti tek bashkëpunimi bilateral dhe multilateral në fushën e luftimit të krimit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Poashtu në mënyrë të vecantë dy Ministrat biseduan dhe trajtuan cështjen e migrimit të parregullt të qytetarëve të Kosovës, drejtë vendeve të zones Schengen e vecanërisht drejt Republikës së Francës.
Ministri francez Cazeneuve theksoi me këtë rast se numri i migrantëve ilegal nga Kosova janë shqetësim i madh për vendet e BE-së dhe Francën duke bërë thirrje që të gjendet një zgjidhje e shpejtë për këtë problem që është një nga kushtet për liberalizim vizash.
Edhe në këtë takim u theksua se Kosova është vend i sigurt dhe mundësitë për të fituar azil nga kosovarët janë të pamundshme.
Ministri Hyseni theksoi dhe kërkoi nga Ministri i Brendshëm Francez që të përkrahet liberalizimi i vizave për Kosovën duke nënvizuar se është e padrejtë që Kosova të mbahet si vendi i vetëm i izoluar nga e drejta për lëvizje të lirë në zonën Schengen nga Europa Juglindore.
Pikë tjetër e diskutimit në takimin e dy ministrave ishte terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm. Dy ministrat u pajtuan që të intensifikojnë bashkëpunimin bilateral në këtë fushë duke theksuar edhe nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë ndërkombëtar për tu përballur me këto fenomene transnacionale.
Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL dhe organizatat tjera ndërkombëtare të bashkëpunimit policor ishte poashtu në fokus të bisedës midis dy ministrave. Ministri Hyseni kërkoi mbështetjen e Francës për anëtaresimin e Kosovës në organizma ndërkombëtar të bashkëpunimit policor me theks të vecantë në anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.
Në këtë takim që u zhvillua me atmosferë mirëkuptimi dhe miqësore, u trajtuan edhe një varg cështjesh me interes të ndërsjellë në kuadër të bashkëpunimit dypalësh Kosovë-Francë.
Sot Ministri Hyseni poashtu është pritur në senatin francez nga senatori Dominique de LEGGE, kryesues i grupit të miqësisë Francë-Ballkan Perëndimor, me të cilin ka zhvilluar një bisedë të gjatë dhe shumë miqësore për rrjedhat e vecanta dhe gjendjen në Kosovë, në vecanti për zhvillimet në Ballkan në përgjithësi.