Avokatët në Serbi vazhdojnë me greva
Beograd, 19 shtator - Greva e mbi 8 mijë avokatëve në të gjithë Serbinë në shenjë proteste ndaj vendosjes së taksave të reja, ka paralizuar aktivitetet e të gjitha gjykatave dhe prokurorive në këtë vend.
Bashkësia e Avokatëve të Serbisë me anë të një komunikate deklaroi se greva e avokatëve dhe e mosprania e tyre në gjykimin e të akuzuarve nëpër gjykata do të vazhdojë derisa të realizohen kërkesat e tyre.
Në këtë komunikatë thuhet se avokatët mbrojtës kundërshtojnë rritjen e taksave mbi pagat e tyre si dhe miratimin e rregulloreve të reja që kufizojnë aktivitetet e tyre.
Avokatët mbrojtës në Beograd që prej 10 shtatorit ndodhen në grevë dhe tashmë grevës së tyre i janë bashkuar edhe avokatet nga qytetet e tjera të Serbisë.
Bëhet e ditur se përfaqësuesit e avokatëve mbrojtës të Serbisë ditën e hënë do të zhvillojnë bisedime me funksionarë të Ministrisë së Financave dhe të sistemit gjyqësore të Serbisë.