Austria kërkon zhdukjen e bombës bërthamore
New York, 30 prill - Austria ka kërkuar zhdukjen e armëve bërthamore nga arsenali i ushtrive në të gjithë botën, si e vetmja masë parandaluese ndaj pasojave katastrofike që mund të ketë përdorimi i tyre, ndërkohë që pretendon se ka mbështetjen e 159 shteteve të tjera në këtë nismë.
Ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurc, e bëri propozimin e guximshëm gjatë fjalës së tij në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në konferencën e rishikimit të Traktatit të Ndalimit të Armatimeve Bërthamore nënshkruar në vitin 1970.
E vetmja mënyrë për të garantuar që armët bërthamore nuk do të përdoren më është shkatërrimi total i tyre, tha Kurc para të pranishmëve.
Propozimi erdhi pak ditë pas përvjetorit të 70-të të lëshimit të bombës bërthamore në Japoni nga ana e Shteteve të Bashkuara, i vetmi moment në historinë e njerëzimit kur ajo është përdorur në luftë.
Megjithëse gëzon mbështetjen e 159 shteteve të ndryshme, nisma austriake me siguri do të hidhet poshtë nga vendet anëtarë të Këshillit të Sigurisë në OKB, si Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Rusia dhe Kina, por edhe nga vendet anëtare të NATO-s.