Asistentja e Obamës arrestohet për kërcënim me armë
Washington, 11 gusht - Një grindje me shkak xhelozinë ka mjaftuar që një prej asistenteve të presidentit amerikan, Barack Obama, të përfundojë pas hekurave.
Barvetta Singletary, 37 vjeç, është arrestuar me akuzën e kërcënimit me armë ndaj të fejuarit të saj, pasi kishin debatuar rreth femrave me të cilat burri (një agjent policie) shoqërohej.
Por, përtej një krize të thjeshtë xhelozie, ky rast ka hapur debatin mbi armët e policisë.
Sipas NBC, Singletary ka humbur kontrollin kur burri nuk i ka dhënë fjalëkalimin e telefonit të tij. Përgjigjja negative është pasuar nga kërcënimi me armë në kokë dhe një e shtënë në ajër.
Celularët e tu qenkan më të rëndësishëm se unë që kam një armë në dorë? Më ke mësuar vetë ta përdor, nuk mendoj se të vjen mirë ta bëj tani, mësohet të ketë thënë ajo. Arma, një model Glock 23 e kalibri 40, i përkiste agjentit të policisë, i cili është larguar menjëherë dhe e ka denoncuar të fejuarën tek kolegët e tij.
Mësohet se shtëpia e Bardhë e ka pezulluar nga detyra asistenten Singletary.