Armët e ISIS-it që mund të rrëzojnë aeroplanët
Raka, 6 janar - Shteti Islamik mund të prodhojë armë që mund të rrëzojnë aeroplanët e udhëtarëve dhe ata ushtarakë, raporton Sky News.
Ekspertët dhe shkencëtarët të cilët punojnë për ISIS në qytetin Raka kanë arritur të prodhojnë bateri të improvizuara termike për raketat e tipit tokë-ajër.
Në këtë mënyrë ata mund të modernizojnë mijëra raketa për të cilat autoritetet perëndimore pretendojnë se janë të vjetra, duke e rritur në 99 për qind saktësinë e tyre.
Edhe e përditshmja britanike Independent shkruan se terroristët prej kohësh kanë pasur qasje në këto raketa të vjetruara, por që nuk kanë pasur teknologjinë e nevojshme për përdorimin e tyre.
Përveç këtyre raketave, terroristët e ISIS-it kanë kryer testimin e një veture telekomanduese e cila do të mund të përdorej për sulme terroriste. Këto vetura do të mund të mbusheshin me eksploziv dhe të kontrolloheshin me telekomandë, mjaft që pranë timonit të qëndronte ulur një kukull.