Arabia Saudite do të përshpejtojë luftën kundër Shtetit Islamik
Riad, 14 shkurt - Arabia Saudite ka konfirmuar se do të dërgojë avionë në bazën Incirlik të NATO-s në Turqi, për të luftuar militantët e Shtetit Islamik (IS).
Gjenerali i Brigadës, Ahmed al-Assiri, i ka thënë televizionit Al Arabiya se vendi i tij do që të përshpejtojë luftën kundër grupit ekstremist.
Arabia Saudite ka rinisur pjesëmarrjen në sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik në javët e fundit dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, ka mirëpritur rolin e saj.
Të shtunën, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, është cituar të ketë thënë se vendi i tij dhe Arabia Saudite mund të nisin operacione tokësore kundër Shtetit Islamik në Siri.
Po ashtu, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite ka thënë se nëse procesi politik në Siri dështon, presidenti sirian, Bashar al-Assad, do të largohet me forcë nga pushteti.
Arabia Saudite dhe Turqia konsiderojnë se largimi i Assadit nga pushteti është thelbësor për ti dhënë fund luftës civile në Siri.