Agani vizitoi ishullin e Maltës
Maltë, 19 korrik - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferid Agani vizitoi ishullin e Maltës me ftesë zyrtare të Don Basiglio Cali, Mjeshtrit të Madh të Urdhrit Sovran të Maltës.
Takimi u realizua në vazhdën e shkëmbimit shumëvjeçar të vizitave reciproke të delegacioneve të larta të dy palëve dhe kishte për qëllim parësor shqyrtimin e mundësive për përparimin e bashkëpunimit të ndërsjellë nëpërmjet realizimit të projekteve zhvillimore të Urdhrit Sovran të Maltës në Republikën e Kosovës.
Gjatë bisedimeve u ritheksua gatishmëria e plotë e Urdhrit për financimin e plotë të spitalit të ri të Ferizajt si dhe projekteve mjedisore që kanë për qëllim parandalimin e vërshimeve ne rrjedhat e lumenjve të Sitnicës dhe të Moravës së Binçës.
Në këtë drejtim, Shkëlqesia e tij Don Basiglio Cali rikonfirmoi vendimet paraprakisht të marra të Urdhrit Sovran të Maltës për ndarjen e fondeve financiare për realizimin e plotë të këtyre projekteve, si dhe ripërsëriti nevojën për vendosjen e marrëdhënieve bilaterale politike në funksion të realizimit sa më të shpejtë të tyre.
Për këtë qëllim, delegacionit kosovarë iu dorëzua Memorandumi i Bashkëpunimit për shqyrtim dhe procedim të mëtutjeshëm në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.
Të dy palët u dakorduan se ekzistojnë mundësi të mëdha të bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm ekonomik dhe se nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit do të mundësojë fillimin e realizimit konkret të investimeve të Urdhrit Sovran të Maltës në Republikën e Kosovës në projekte paraprakisht të përgatitura nga të dy palët.