4.000 emigrantë brenda ditës kalojnë nga Serbia në Hungari
Budapest, 13 shtator - Rekord i ri i numrit të emigrantëve që kanë hyrë në Hungari nga Serbia, ditën e shtunë deri te dielën në mengjes.
Më shumë se 4 mijë njerëz kaluan në këmbë kufirin nga Serbia, pikërisht në momentin që autoritetet hungareze po përfundonin përgatitjet për bllokimin e kufijve.
Europa është duke luftuar me përballjen e një fluksi të madh njerëzish, kryesisht nga Siria që përpiqen ti largohen dhunës dhe varfërisë.
Hungaria është kritikuar për mënyrën se si ajo po i pret ata që kalojnë kufirin.
Zyrtarët vlerësojnë se 175 mijë emigrantë kanë kaluar nga Serbia në Hungari deri tani gjatë këtij viti. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, deklaroi se do të bllokojë kufijtë e shtetit dhe do të arrestojë çdo emigrant ilegal.
Më shumë se 4 mijë ushtarë hungarezë kanë shkuar në ndihmë të policisë për të ndaluar emigrantët. Orban tha se vendimi i arrestimit të çdo emigranti të paligjshëm që hyn në Hungari do të fillojë të zbatohet nga e marta, më 15 shtator.