22 Dhjetor 2024

Zambia destinacion për turistët që kërkojnë aventura gjatë pushimeve

Lusaka, 14 shtator - Afrika po bëhet një destinacion i rëndësishëm për ata që kërkojnë aventura gjatë pushimeve atje.

Turizmi po tërheq mijëra vizitorë në vit në Zambia, ku njerëzit mund të marrin pjesë në aventura të ndryshme falë veçorive natyrore të këtij vendi.

Turistja Simone Bishop po bëhet gati për udhëtimin më mbresëlënës të jetës së saj. Ajo do të fluturojë mbi ujëvarën Viktoria në Zambia, që nga shumë konsiderohet si një nga shtatë mrekullitë natyrore të botës. Piloti Grant Welch me kompaninë “Batoka Microlight” thotë se sezoni i shirave është koha më e mirë për të fluturuar mbi këtë rajon.

“Gjatë këtij sezoni ndërsa fluturon mund të shikosh madhështinë e Ujvarës Viktoria si dhe shtëllungën e madhe që ngrihet mbi ujëvarë. Është një eksperiencë e bukur. Mund ta ndjesh spërkatjen e ujit mbi trup. Pamjet e ujvarës janë mahnitëse.”

Ujëvara Viktoria, që ndodhet në vijën ndarëse mes Zimbabvesë dhe Zambias, njihet si tymnaja që gjëmon. Mjegulla e krijuar nga uji shihet prej rreth 20 kilometrash larg. Aeroplani i vogël fluturon me një shpejtësi prej 95 kilometrash në orë. Turistja Simone Bishop flet për eksperiencën që përjetoi.

“Vetëm pasi u kthyem për herë të dytë mbi ujëvarë gjeta kurajon të hidhja shikimin përjashta. Nuk druhem nga lartësitë por kur je atje lart në avion, është thuajse e pamundur që të mos ndjesh frikë. Në një moment të mbërthen adrenalina.”

Fluturimi me avionë të vegjël është një prej sporteve ekstreme që ofrohet në Ujëvarën Viktoria. Alexandër Mutali drejton Shoqatën e Turizmit Livingstone në Zambia. Ai thotë se zona tashmë ka një reputacion të mirë mes të apasinuarve për sporte ekstreme.

“Vizitorët mund të kalojnë katër ditë të mira në Ujëvarën Viktoria duke u marrë me sporte ekstreme. Ka shumë aktivitete që ofrohen që nga vitet 80-të. Po ashtu është një zonë me shumë bukuri natyrore.”

Jo larg ujëvarës është një urë e ndërtuar në 1905. Projektuesit e saj ndoshta kurrë nuk kishin imagjinuar se njerëzit do të hidheshin nga ura të lidhur me një litar elastik. Turistja amerikane Tina Hollcroft-Fischlin është gati të hidhet nga lartësia 111 metra e urës.

“Jam e shqetësuar. Jam gati të hidhem dhe të shijoj pamjen atje poshtë dhe shpresoj edhe gjatë ngjitjes.”

Një litar special elastik i lidhur në kyçet e këmbëve siguron që ajo të ngjitet përsëri lart. Litari zgjatet ndërsa ajo hidhet mbi lumin Zambezi me një shpejtësi 120 kilometra në orë. Hedhja e lirë zgjat katër sekonda.

“Vërtet mahnitëse. Po ashtu ndjeva edhe spërkatjen nga ujëvara. Kur hidhesh të kap frika dhe sapo arrin pikën e parë të rënies, e merr veten. Pastaj isha e qetë dhe shijova pamjen e bukur dhe ajrin. Ishte një eksperiencë ngazëllyese.”

Mes aktiviteteve të tjera është edhe rrëshqitja në një kabëll prej 240 metrash të gjatë nga njëra anë e luginës drejt urës. Ujëvara Viktoria është një pikë e rëndësishme e sporteve ekstreme në Afrikë, por gjithashtu të ofron edhe një pamje mahnitëse të florës dhe faunës në rezervatet dhe parqet përreth.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)