Vendet me atraktive në Kosovë që mund te vizitohen gjatë vjeshtës
Prishtinë, 9 nëntor - Stina e vjeshtës ka filluar ta pikturoj çdo pjesë të Kosovës me ngjyra të arta. Veçanërisht janë disa nga vendet atraktive të Kosovës që kanë përfituar nga këto ngjyra dhe janë bërë akoma më atraktive për t’i vizituar.
Një ditë vikendi gjatë vjeshtës së artë mund ta kaloni duke shijuar bukuritë e rralla që ia ka fal natyra këtyre vendeve të Kosovës që njëherë konsiderohen edhe si vende atraksioni.
Për t’i shijuar këto vende piktoreske, Venera Ismaili, menaxhere e platformës Rezervimi.com, ju prezanton disa nga destinacionet më atraktive, ku sipas saj në këto vende mund edhe të zhvillohet shumë turizmi në të ardhmen.
Maja e Lubotenit
Maja e Lubotenit është vend atraktiv që ndodhet në pjesën perëndimore të Kaçanikut, 2,498 metra e lartë dhe është maja më e bukur në Malet e Sharrit. Luboteni dhe shëtitjet piktoreske të Sharrit ofrojnë mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit malor gjatë verës e po ashtu gjatë dimrit.
Rugova
Ndër destinacionet turistike të cilat mund të hyjnë në listën e top destinacioneve kosovare, nuk mund të mos ju njohim me Bjeshkët e Rugovës, si një nga vendet më të bukura në Kosovë, ku mund të përjetoni përvoja të paharrueshme mes ajrit të pastër e natyrës që është treguar vërtet bujare me këtë vend.
Këtu mund të zhvilloni aktivitete të ndryshme me mundësi akomodimi dhe ushqimi tradicional. Malet, pyjet, lumenjtë e liqenet janë pasuri me vlerë të këtij destinacioni.
Shala e Bajgores
Bjeshkët e Shalës së Bajgores një nga regjionet më të bukura malore të veriut të Kosovës, që shtrihet mes luginës së Ibrit dhe LLapit. Ky vend është kthyer në një qendër turistike, që është mjaft i pasur me shtigje ideale për ecje. Përveç kësaj ky destinacion ofron edhe shtigje për skijim.
Fushat dhe livadhet e kësaj zone të pasura me florë dhe faunë, pyjet e dendura dhe hapësirat gjelbëruese, padyshim se janë atraksione të vërteta turistike dhe shumë të vizituara gjatë gjithë stinëve të vitit.
Ujëvarat e Mirushes
Ujëvarat e Mirushës ndodhen në fshatin Llapçevë të Komunës së Malishevës dhe janë pjesë e një parku me rëndësi të veçantë natyrore, shkencore, kulturore dhe turistike. Zona i përket kategorisë "Peizazh i mbrojtur", kurse rrjedha e lumit Mirusha i përket kategorisë "Monument natyror".
Në këtë park, lumi Mirusha gjatë rrjedhës së tij kalon nëpër një grykë e cila njihet si Kanjoni i lumit Mirusha dhe këtu krijon 12 ujëvara dhe 16 liqene që paraqesin një fenomen të rrallë morfoâhidrologjik.
Prevalla
Prevalla është qendër skijimi dhe fshat turistik, 28 km larg Prizrenit dhe rreth 12 km larg Brezovicës, qw shtrihet 1800 m mbi nivelin e detit. Prevalla është një destinacion i preferuar për alpinistët dhe skiatorët. Gjatë verës, është një vend i përshtatshëm për rekreacion dhe pushim, ndërsa gjatë dimrit për sportet dimërore.
Për më tepër lumenjtë Lepenci dhe Lumbardhi, rrjedhin në këtë territor gjë që e bën këtë destinacion më tërheqës dhe më interesant për vizitorët.
Liqenati
Ky liqen i mrekullueshëm i ndodhur mes bjeshkësh, në afërsi të fshatit Kuqishtë, është i njohur pothuaj kudo në Kosovë dhe vizitohet rregullisht nga vizitorët e shumtë që shkojnë për të kaluar çaste relaksimi në kanionin e Rugovës ose edhe nga adhuruesit e bjeshkëve që ngjiten në afërsi të majave të afërta.
Liqenati është një pikë frekuentuese nga vendasit dhe të huajt të cilët e shfrytëzojnë këtë peizazh ndër tjerash edhe për fotografi artistike.
Liqeni i Batllavës
Liqeni i Batllavës ndodhet në territorin e komunës së Podujevës, fare pranë fshatit Orllan dhe konsiderohet një nga destinacionet turistike më të frekuentuara në Kosovë, sidomos gjatë vikendeve.
Ky vend atraktiv për të rinj dhe familjarë ofron mundësi për rekreacion si: peshkim, not, shëtitje me barkë etj.
Gjithashtu, pjesë e këtij destinacioni janë edhe restorantet e shumta ku mund të drekoni . E veçanta e Liqeni te Bakllavës është se rrethohet nga pyje te shumta.