22 Dhjetor 2024

Velipoja e Ulqini, në garë për turistët nga Kosova

Ulqin, 24 korrik - Ulqini pas vitit 1999 nuk është më destinacioni kryesor, madje i vetëm i qytetarëve nga Kosova, pasi hapja me vendin e konsideruar amë, Shqipërinë, u ka krijuar qytetarëve nga Kosova të kenë edhe mundësi të tjera zgjedhje për pushime, ku fillimisht Durrësi e më pas Golemi, Mali i Robit e Velipoja janë destinacione turistike të pushuesve nga Kosova.

Megjithatë, në garë “rrotë në rrotë” me plazhin e Ulqinit është vënë plazhi i Velipojës, një nder destinacionet turistike të qytetarëve nga Kosova, sidomos të pjesës jugperëndimore të saj.

Në këto dy zona turistike, të cilat ndahen nga lumi Buna, sipas statistikave, aktualisht pushojnë rreth 240 mijë turistë, numri më i madh i të cilëve është nga Kosova.

Por konkurrenca mes Velipojës dhe Ulqinit shtrihet edhe në infrastrukturë. Ulqini, qytet në jug të Malit të Zi, i populluar me shumicë shqiptare, ka avantazhe me Velipojën dhe jo vetëm me Velipojën për traditën në hoteleri-turizëm, por edhe për numrin më të madh të zonave turistike.

Por, nga ana tjetër, Velipoja ka avantazhin e çmimit më të lirë. Në Velipojë pushimet zgjasin 15 ditë, dhe për një 15-ditor çmimet mesatare në pikun e sezonit për një kabinë janë nga 25.000 (180 euro) deri në 35.000 (250 euro) lekë.

Ndërsa në Ulqin pushimet janë 10-ditore dhe çmimet për një dhjetëditor të një kabine arrinë nga 250 deri në 400 euro, që do thotë rreth 10 për qind më shtrenjtë. Po kështu, konkurrenca është edhe në produktet ushqimore dhe në restorante. Në Velipojë çmimet janë dukshëm më të ulëta, në krahasim me Ulqinin.

Por edhe në plazhin e Velipojës kanë filluar të “ngrenë krye” çmimet e përafërta me Ulqinin, duke filluar me shezllonet. Mungesa e plazheve publike është një zë kostoje për pushuesit.

 Tashmë në Velipojë një shezllon (ulëse) kushton 500 lekë (3.7 euro) ku gjithsesi një familje nga Kosova që ka marrë rrugën për në plazh i duhen të paktën dy shezllone ku i duhet të paguajë minimalisht 110 euro vetëm për qëndrimin në plazh.

E ndërkaq Ulqini është në avantazh sa i përket sistemimit të plazheve, pastërtisë dhe sigurisë.

Situata paraqitet e njëjtë sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm. Në njërën anë, në Velipojë kemi rrjet të amortizuar të ujësjellësit, i cili nuk e përballon fluksin e turistëve, e ndërsa, në anën tjetër, në Ulqin kemi nisjen e punimeve për sistemimin e këtij rrjeti.

Ajo që nuk ndryshon dhe është e njëjtë si në Ulqin ashtu në Velipojë ka të bëjë me faktin që pushuesit janë kryesisht nga Kosova.

Edhe Shqipëria, ashtu si Ulqini, por edhe vendet e tjera të rajonit, kërkon të krijojë traditën në përmirësimin e infrastrukturës hoteliere. Ky sezon turistik ka ardhur më i pasur në informacion për pushuesit, brenda dhe jashtë vendit.

Të gjithë ata që e shohin Shqipërinë si një nga destinacionet për të pushuar, mund të marrin detaje të sakta lidhur me cilësinë dhe mundësitë që ofrojnë resortet apo hotelet në vend. Shoqata shqiptare e Turizmit dhe Ministria e Turizmit, e Kulturës, e Rinisë dhe e Sporteve, në bashkëpunim me programin e USAID-it, kanë bërë të mundur vendosjen e yjeve të hoteleve në Shqipëri, pas kontrolleve dhe inspektimeve për kriteret e plotësuara. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)