USAID mbështet përpjekjet për ta bërë Kosovën destinacion turistik
Prishtinë, 17 prill - Me rastin e organizimit të Panairit Vjetor të Turizmit, Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen A. Shauket, do të dhurojë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës ekzemplarë të Shtojcës së Revistës National Geographic Traveler.
Në Shtojcën e Revistës National Geograhic Traveler, Kosova prezantohet së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor, si një destinacion i pëlqyer turistik. Kopjet elektronike (CD) të shtojcës do të shfrytëzohen nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, për qëllime të diplomacisë ekonomike.
Përveç kësaj, para vizitorëve të Panairit do të bëhet edhe prezantimi i faqes së sapohapur të internetit Western Balkans Geotourism MapGuide, në të cilën do të shfaqen 50 lokacionet më interesante në Kosovë.
Këto produkte informuese janë pjesë e mbështetjes së Programit të USAID-it për Ndërmarrje Private për ta bërë Kosovën destinacion të shquar turistik. USAID-i dhe National Geographic Society kanë punuar së bashku për të krijuar një faqe të posaçme të internetit, në të cilën do të promovohet Kosova dhe pesë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor si destinacione rajonale turistike.
Për Kosovën, si shtetin më të ri dhe sigurisht më së paku të hulumtuar, kjo faqe e internetit (www.balkansgeotourism.travel) do të paraqesë një rast të volitshëm që vendi ynë të paraqitet në mënyrën më të mirë të mundshme para publikut në mbarë botën.