Turizmi turk, niveli i shfrytëzimit të hoteleve arrin në 100 për qind
Ankara, 6 korrik - Operatorët turistikë turq janë shprehur plot shpresë nga ky sezon veror duke theksuar se për Turqinë ka nisur tashmë periudha më e ngjeshur e pushimeve dhe se niveli i shfrytëzimit të hoteleve ka arritur në 100%.
Krahas kërkesave në rritje të vrullshme me rezervime të hershme të turistëve të huaj, të cilët duan t’i kalojnë pushimet në Turqi, përfundimi i zgjedhjeve të 24 qershorit dhe i provimit qendror të universitetit ka gjallëruar po ashtu turizmin e brendshëm duke e bërë këtë sezon veror mjaft të begatë.
Presidenti i Federatës së Hotelierëve të Turqisë (TUROFED), Osman Ayik dhe zëdhënësi i Platformës së Operatorëve Turistikë, Cem Polatoglu, vlerësuan për gazetarët të priturat e sektorit nga sezoni veror 2018.
Osman Ayik rikujtoi se Turqia është vizituar nga 11,5 milionë turistë në 5 muajt e parë të këtij viti dhe theksoi se këto shifra janë shumë të mira dhe shpresëdhënëse.
Sipas tij, sezoni i pushimeve ka filluar siç pritej, me një dinamikë dhe trafik mjaft të ngjeshur.
“Aktualisht kemi një gjallërim të fuqishëm në të gjitha zonat turistike, megjithatë ajo më dinamikja mbetet Antalia. Pas saj vjen menjëherë Stambolli. Falë edhe gjallërimit të tregut të brendshëm, një dinamikë serioze po vërejmë gjithashtu në zonat e Egjeut Perëndimor dhe Jugor. Me përfundimin e zgjedhjeve të 24 qershorit dhe provimit qendror të universitetit, për Turqinë ka nisur tashmë periudha më e ngjeshur e pushimeve”, deklaroi Ayik.
Kreu i Federatës së Hotelierëve të Turqisë vuri në pah edhe se numri i turistëve në Antalia këtë vit do të jetë shumë afër 14 milionëve.