Turizmi në Shqipëri, 59 milionë euro më pak
Tiranë, 11 dhjetor - Të dhënat zyrtare, kanë shfryrë përfundimisht boom-in e pretenduar turistik të vitit 2010, duke raportuar për herë të parë në vitet e fundit rënie të të ardhurave nga turizmi.
Banka e Shqipërisë, atuoriteti kompetent për llogaritjen dhe publikimin e të dhënave të turizimit njoftoi se në nëntë muajt e parë të këtij viti, periudhë që përfshin kulmin e sezonit turistik, të ardhurat nga turizmi jo vetëm që nuk u rritën krahasuar me vjet, por ranë me 5.7 për qind.
Sipas Bankës deri në fund të shtatorit, ekonomia shqiptare ka fituar nga turizmi 960 milionë euro, ose 59 milionë euro më pak se sa e njëjta periudhë e një viti më parë.
Vec tkurrjes së të ardhurave, të dhënat tregojnë se këtë vit, për herë të parë gjatë viteve të fundit, edhe shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashte shtetit kanë rënë.
Sipas Bankës në nëntë muajt e parë të vitit, shpenzimet për udhëtime jashtë u ulën me 12.8 për qind, ose 115 milionë euro. Tregues i krizës apo jo, kjo shifër dëshmon se kete vit kanë qenë më të paktë shqiptarët që kanë shkuar për pushime jashtë shtetit.
Përgjatë gjithë sezonit turistik qeveria dhe ministria e turizmit kanë trumbetuar në publik rritje të fortë të numrit të turistëve, duke ja atribuar këtë edhe ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës.
Por të dhënat e Bankës nxjerrin tashmë një situatë kontradiktore, ku edhe pse numri i turistëve rritet, ekonomia fiton më pak, cka do të thotë që ose ata turistë që po vijnë po shpenzojnë më pak, ose që rritja e numrit të turistëve ka ardhur nga emigrantët.