Turizmi kosovar promovohet në Paris
Paris, 17 mars - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të promovimit të turizmit dhe vlerave turistike që ofron vendi ynë, së bashku me operatorë turistikë vendor janë duke marrë pjesë në panairin e turizmit Destination Nature, i cili po mbahet në Paris të Francës.
Prezantimi i bukurive natyrore, vlerave kulturore si dhe aktiviteteve të ndryshme si: ecje e hiking kanë zgjuar vëmendjen e shumë vizitorëve të cilët kanë ndaluar te shtandi i Kosovës në panair.
Interesim për vendin tonë gjatë këtij panairi është i konsiderueshëm edhe nga ana e operatorëve turistikë të cilët po shfaqin një interes të veçantë për vendin tonë si destinacion turistik.
Panairi Destination Nature, është një prej panaireve më të rëndësishme në fushën e turizmit në veçanti të udhëtimit dhe aktiviteteve në natyrë.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë panair vjen si rezultat i bashkëpunimit dhe mbështetjes së përbashkët nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), me Ambasadën e Francës ne Kosovë, USAID-Empower Project dhe Swisscontact-PPSE.
Në shtandin e Kosovës së bashku me përfaqësuesit e KIESA-s, ofertat turistike po i promovojnë këta tur operatorë: Altavia, Traveks, BNA dhe Catun.
Në kuadër të panairit do të bëhet edhe promovimi i guidës turistike për Kosovën të Petit Fute, në gjuhën frënge.
Panairi i Turizmit Destination Nature mbahet në Paris të Francës nga data 17 20 Mars 2016.