Turizmi kosovar promovohet në panairin e Londrës
Londër, 3 nëntor - Vlerat turistike dhe kulturore që i ka Kosova po prezantohen në panairin më të madh ndërkombëtar që po mbahet në Londër.
Në këtë panair janë mbi 50 mijë pjesëmarrës nga 186 vende të botës.
Në World Travel Market 2015 , Kosova është duke u prezantuar në një shtand të përbashkët nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, së bashku me tetë tour operatorë nga Kosova. Vizitorë të shumtë janë duke u mirëpritur në shtandin e Kosovës ku nga ana e përfaqësuesve të KIESA-s dhe tour operatorëve është duke u promovuar turizmi, në veçanti ai malor si dhe vlerat e trashëgimisë kulturore dhe historike që ka Kosova.
Njëkohësisht tour operatorët kosovarë gjatë kohës sa po zhvillohet ky panair janë duke mbajtur takime B2B me blerës të ndryshëm, në veçanti me agjentë të udhëtimit.
Ky panair konsiderohet si një nga ngjarjet me interes për takime B2B business-to-business, që prezantojnë në Britaninë e Madhe një gamë të gjerë të destinacioneve dhe sektorëve të industrisë, si dhe për profesionistët ndërkombëtarë të udhëtimeve.
Po ashtu, ky panair është një mundësi unike për gjithë biznesin global të udhëtimeve, për takime, negocime dhe marrëdhënie biznesore.
Në shtandin e Kosovës së bashku me përfaqësuesit e KIESA-s, ofertat turistike po i promovojnë këta tour operatorë: Altavia, Vas Tour, Traveks, Outdoor Kosovo, Kosova Outdoor, Sharri Ecotour, Airtour dhe Balkan Natyral Adventure.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë panair vjen si rezultat i bashkëpunimit dhe mbështetjes së përbashkët nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA) me USAID-Empower Project dhe Swisscontact-PPSE.
Panairi World Travel Market 2015 mbahet në Londër të Britanisë së Madhe nga data 02 05 nëntor 2015.