Turizmi i Kosovës promovohet në Ohër
Ohër, 10 maj - Në Ohër të Maqëdonisë, sot ka filluar konferenca rajonale e turizmit aventurier Adventure Next Balkan 2016.
Në këtë konferencë të organizuar nga Adventure Travel Trade Association (ATTA), po marrin pjesë përfaqësues të medieve dhe të agjencive ndërkombëtare të specializuara për turizëm si dhe përfaqësues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bosnja Hercegovina, Kroacia, Bullgaria, Mali i zi, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.
Me mbështetjen e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe në bashkëpunim me USAID Empower projekt, Kosova përfaqësohet në këtë konferencë si shtet partner.
Gjatë ditëve në vijim përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë përkatësisht të KIESA-s, sëbashku me tur-operatorë kosovarë do të promovojnë turizmin vendës në përgjithësi si dhe do të zhvillojnë takime B2B me pjesëmarrësit.
Kjo konferencë e cila mbahet nga data 10 deri 12 maj 2016 është vazhdimësi e Javës së Aventurës (Adventure Week), të cilën KIESA bashkë me Asociacionin e Bizneseve të Turizmit Aventurier (Adventure Travel Trade Association) nga SHBA-të dhe me dy vendet e rajonit: Shqipërinë dhe Maqedoninë kanë organizuar në gusht të vitit 2014.