Turizëm i pazakontë në një ishull amerikan
Virxhinia, 1 tetor - Një plazh në Shtetet e Bashkuara i jep turistëve dy arsye të veçanta për të vizituar.
Çdo verë, turistë të shumtë bëjnë pelegrinazh në ishullin Chincoteague, në Virxhinia, për të parë kuaj të egër ndërsa kalojnë kanalin Assateague.
Por, janë raketat që dërgojnë furnizime në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës ato që po shtojnë turizmin në ishull.
Këta kuaj të vegjël të egër po largohen nga vendi i tyre për t\'u shitur në një ankand të përvitshëm.
Turma njerëzish dolën në bregdet që në agim për të parë shëtitjen vjetore në plazh të kuajve, në ishullin Chincoteague, të shtetit Virxhinia.
Të ashtuquajturit \"cowboys të ujërave të kripura\" mbledhin kuajt në të gjithë ishullin dhe i kalojnë përgjatë Oqeanit Atlantik. Për të parë kuajt e vegjël kanë ardhur mijëra njerëz, duke përfshirë Sarah Cherrix nga Madison, i shtetit Uiskonsin:
\"Është bukuria e diçkaje kaq të thjeshtë, që ofron natyra. Dhe fakti që kjo diçka kaq e egër dhe e bukur mund të gjendet ende në Amerikë,\" thotë ajo.
Por tani ka një arsye të re për të ardhur në këtë ishull. Aty mund të shihen raketa që nisen për të dërguar furnizime në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës dhe ishulli shpreson të tërheqë një lloj krejtësisht të ri turistësh.
Pak vite më parë mijëra njerëz dyndeshin në bregun lindor të Floridës për të parë një anije kozmike ndërsa niste fluturimin për në hapësirë. Në vitin 2011, më shumë se një milion njerëz u mblodhën Cape Canaveral për të parë nisjen e fundit të anijes Atlantis.
Tashmë turmat nuk janë më aq të mëdha, megjithatë turizmi është në rritje pranë ishullit Wallops. Njerëz të dhënë pas hapësirës janë të interesuar të shohin nisjen e raketave si Orbital Sciences Orb-2 drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. Keith Koehler i NASA-s thotë:
\"Është gjëja që vendosi zonën në hartë, në një farë mënyre. Dhe ka shumë interes në çdo gjë që ne bëjmë tani. Pavarësisht nëse është një nisje e rëndësishme apo e vogël, njerëzit thjesht duan të vijnë që të shohin nisjen e një rakete.\"
Dhoma e Tregtisë në Chincoteague, një fshat peshkimi në bregun lindor, i njohur për kuajt e egër, thotë se raketat mund të shtojnë turizmin në ishull.
\"Mendoj se kemi mundësi të kemi më shumë njerëz se kurdo më parë,\" thotë Evelyn Shotwell, drejtore ekzekutive e Dhomës së Tregtisë në Chincoteague.
Vera është periudha më e ngarkuar e udhëtimeve në ishull. Çdo vit, turistët shpenzojnë më shumë se 145 milionë dollarë në ishullin Chincoteague dhe zonat përreth. Por disa pronarë hotelesh dhe biznesesh të vogla shpresojnë që nisjet e raketave të shtojnë turizmin dhe gjatë muajve të dimrit.