Turistët dhe bizneset përfitojnë mbi 200 mijë euro nga ulja e taksave
Ulqin, 6 maj - Një delegacion i Aleancës Kosovare të Biznesve, sektori i kompanive transportuese turistike, pas tre ditësh kanë arritur marrëveshje me Stacionin e Autobuësve të Ulqinit, për ulje taksash për kompanitë transportuese dhe turistët.
Delegacioni ka pasur takime edhe me kryetarin e Komunës, ku kanë kërkuar uljen e çmimeve.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se kanë përmbyllur një mision të rëndësishëm për qytetarët dhe transportuesit nga Kosova që vijnë në Ulqin. Kompanitë turistike dhe udhëtarët, kishin vërejtje për taksat e larta nga Stacioni i Autobusëve në Ulqin e të cilat vlerësohet se janë të larta.
Ai shtoi se kompanitë dhe qytetarët nga Kosova duhet të kenë trajtim të veçantë dhe të barabartë dhe kërkojnë zgjidhje brenda stacionit e jo në rrugë.
Është arritur marrëveshje ndërmjet AKB-së me Stacionin e Autobusëve që tarifat të jenë më të lira dhe në shërbim të qytetarëve e bizneseve kosovare, tha Agim Shahini.
Kryetari i AKB-së tregoi se kanë marr disa shqetësime nga shumë operatorë ekonomik nga Kosova që veprojnë e punojnë në Malë të Zi, sidomos në Ulqin për ulje çmimesh. Këto shqetësime janë trajtuar tre ditë ndërmjet operatorëve nga Kosova, Stacionin e Autobusëve në Ulqin dhe Komunën, duke ulur koston e çmimeve për shërbime.
Kryetari i AKB-së shtoi, se falë bashkëpunimit dhe arritjes së marrëveshjes nga qershori shërbimet në Stacionin e Autobusëve, të ulen hyrje-daljet e autobusëve do jenë 4+4 euro, kurse parkingu do të jetë nga 1 euro për çdo orë. Kjo u mundëson edhe qytetarëve që të kenë bileta dhe shërbime më të lira.
Po ashtu një pagesë tjetër e cila është zvogëluar është ajo e kalimit të secilit udhëtarë në stacion që ishte 2.5 euro + 1 euro rezervimi dhe tash është zbritur në 2 euro, gjë e cila do të ndikoj shumë tek familjet nga Kosova që pushojnë në Ulqin.
Mbi 200 mijë euro nga ulja e taksave dhe marrëveshja e AKB-së she Stacionit të Ulqinit, do të përfitojnë bizneset dhe qytetarët nga Kosova, tha Shahini. Kryetari shtoi se stacioni do të humb mjete e lartë cekura nga zbritjet që ka bërë për kompanitë e autobusëve dhe qytetarëve nga Kosova.
Sipas tij të gjitha kompanitë transportuese të udhëtarëve nga Kosova duhet të rregullojnë marrëveshjet me Stacionin e Autobusëve të Ulqinit. Edhe qytetarët rezervimet ti bëjnë në stacion pa pagesë, e jo nëpër agjenci të cilat ua marrin nga 1 euro. Brenda një viti në Ulqin nga Kosova shkojnë rreth 1500 autobusë apo brenda një dite gjatë zezonës turistike shkojnë deri 55 autobusë.
Nazif Cungu, kryetar i Komunës së Ulqinit, tha se taksat e autobusëve dhe udhëtarëve në stacion, është një problem i vjetër tash e sa vite dhe normalisht qëllimi i të dyja palëve është që taksat dhe çmimet të jenë sa më të volitshme për udhëtarët.
Edhe ne kemi diskutuar për këtë problem dhe kemi bërë edhe analizën e këtyre taksave dhe shohim se ka hapësirë që të bëhen korrigjime, tha Cungu.
Ai tregoi se kanë kërkuar uljen e taksave, por deri tash nuk kanë arritur ti ulin ato. Sipas tij duhet respektuar dhe shikuar interesi i dy palëve. Kryetari përshëndeti edhe arritjen e marrëveshjes për lirime si për udhëtarët, ashtu edhe për kompanitë transportuese të udhëtarëve.
Sabina Resulbegoviq, drejtoresh e Stacionit të Autobusëve të Ulqinit, tha se nuk punojnë me rregulla të veta, por çmimoren e caktuar nga Ministria e Transportit të Malit të Zi.
Edhe pse udhëtarët kanë paguar 2.5 euro kjo nuk ishte plaçkitje, sepse me rregullore kemi të drejtë udhëtarëve tu marrim nga 3.5 euro.
Sipas saj tash e tutje është arritur një marrëveshje dhe të gjithë transportuesit e autobusëve do të bëjnë kontratë me Stacionin e Autobusëve dhe çmimi është ulur në 2 euro për secilin udhëtarë.
Drejtoresha tregoi se nëse operatorët nuk bëjnë kontratat, çmimi do të jetë ai i vjetri dhe rezervimet duhet të bëhen në stacion e jo nëpër agjenci ku ia marrin qytetarëve nga 1 euro shtesë për rezervime.
Besoj se marrëveshja do të respektohet siç jemi marr vesh. Për kosovarët e kemi bërë maksimumin ku dhe janë bërë tolerime të mëdha, tha Sabina Resulbegoviq.
Nga ana tjetër disa kompani nga Kosova që kanë vijat për Ulqin Vectori, Përparimi, Barileva, dhe Selo Tours, që ishin të pakënaqur me taksat si për ta ashtu edhe për udhëtarët, tashmë arritjen e marrëveshjen e vlerësojnë të rëndësishme për uljen e çmimeve e cila do të ndikoi tek kompanitë dhe udhëtarët.