Themelohet Shoqata e Turizmit të Kosovës
Prishtinë, 8 maj - Sot në Odën Ekonomike të Kosovës është mbajtur takimi i Këshillit Inicijativ për themelimin e Shoqatës së Turizmit të Kosovës e cila do të përfaqëson dhe mbroj interesat e kësaj industrie.
Në takim, në të cilin morri pjesë edhe kryetari i Odës, Safet Gërxhaliu u theksua se aktualisht kompanitë të cilat veprojnë në lëmine e turizmit janë duke u ballafaquar me një sërë problemesh të cilat kërkojnë zgjidhje të shpejtë ligjore dhe administrative dhe se organizimi i tillë mundëson adresimin dhe shqyrtimin e tyre të gjithanshëm nga institucionet e shtetit.
Duke i dhënë përkrahje të plotë iniciativës së themelimit të Shoqatës, kreu i Odës tha se edhe deri më tash interesat e bizneseve të Kosovës janë përfaqësuar dhe mbrojtur nga OEK-u, por se me themelimin e kësaj Shoqate do të ketë një adresë ku do ti shprehin brengat dhe problemete me të cilat ballafaqohet kjo industri.
Këshilli Inicijativ vendosi që mbledhja konstitutive dhe zgjedhore e Shoqatës të mbahet më 18 maj, duke filluar në ora 10,00.
Njëkohësisht KI fton të gjithë bizneset të cilat merren me veprimtari turistike që të marrin pjesë në Kuvendit Zgjedhor.