Të ardhurat nga turizmi në Shqipëri rriten për 13 për qind
Tiranë, 16 qershor - Të ardhurat nga turizmi në Shqipëri në tremujorin e parë të 2015-s u rritën me 13 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë e vitit të shkuar.
Shqiptarët shpenzuan në udhëtimet e tyre jashtë vendit rreth 218 milionë euro, ose 14 për qind më pak se një vit më parë.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të parë të 2015 eksporti i shërbimeve të udhëtimit i siguroi ekonomisë vendase rreth 262 milionë euro.
Shërbimet e udhëtimit zënë peshën më të madhe në të ardhurat me 58 për qind dhe shpenzimet e shërbimeve me 62 për qind të totalit.
Gjatë tre muajve të parë sivjet, të ardhurat u rritën 13 për qind, ndërsa shpenzimet e udhëtimit u ulën me 14 për qind, në krahasim me një vit më parë.
Rritja vjetore e të ardhurave gjatë kësaj periudhe erdhi si pasojë e rritjes së shpenzimeve mesatare me 7 për qind dhe ditë qëndrimit mesatar me 3 për qind të jorezidentëve në vend. Numri i vizitorëve të huaj rezulton të jetë rritur me rreth 1 për qind.