Të ardhurat nga turizmi mund rriten me 40 për qind
Sofje 25 maj - Bullgaria ka më shumë shans për të tërhequr turistë të huaj, në qoftë se zhvillon turizmin e saj kulturor, spa dhe malor. Përveç vendpushimeve tradicionale detare, shteti do të shpresojë edhe te produkte të tjera, si turizmi fetar, ekologjik dhe ai i verërave. Kjo parashikohet në strategjinë e miratuar për zhvillimin e degës deri në vitin 2030.
Ambicia jonë është që të imponojmë vendin tonë si një destinacion i qëndrueshëm turistik. Pritet që deri në vitin 2020 Bullgaria të mirëpresë 9 mln turistë të huaj në vit. Ekspertët parashikojnë se vetëm pas dhjetë vitesh numri i tyre do të arrijë 12 mln. Sipas analizave të ardhurat në këtë degë do të rriten me afro 40 për qind. Për vitin e kaluar kontributi i industrisë turistike në Produktin e Brendshëm Bruto është afro 5,5 mlrd euro.
Bullgarinë e vizitojnë më shumë turistët nga Rumania, në vend të dytë janë grekët, vendin e tretë e zënë gjermanët dhe menjëherë pas tyre janë turistët nga Rusia. Të rinjtë nga Britania e Madhe vazhdojnë ti kalojnë pushimet e tyre verore te ne për shkak të alkoolit të lirë, kurse turistët nga Ukraina e pëlqejnë Bullgarinë për shkak të diellit dhe detit.
Strategjia parashikon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe rritjen e kualifikimit të personelit. Që të tërhiqet interesi ndaj kurioziteteve kulturore dhe mrekullive bullgare ka domosdoshmëri për një reklamë agresive.
Kabineti tashmë ka livruar 5 mln euro për popullarizimin e produktit turistik bullgar jashtë shtetit. Akoma më tepër se vendi ynë ka 209 plazhe, më shumë se 600 burime me ujë mineral, 400 liqene malore. Sa i përket turizmit kulturor, turistët e huaj mund të vizitojnë 11 objekte të përfshira në UNESKO, si dhe 160 manastire dhe mbi 330 muze.
Aktualisht turistët e preferojnë Bullgarinë, sepse është një destinacion i lirë. Një turist i huaj harxhon mesatarisht rreth 80 euro në ditë për të fjetur. Turistët rusë, të cilët preferojnë bregdetin tonë, kalojnë te ne rreth dhjetë ditë dhe paguajnë për një natë mbi 130 euro. Ndërsa turistët grekë dhe ata turq e vizitojnë Bullgarinë kryesisht për vendpushimet tona malore, ku mund të rrëshqasin me ski.
Turisti më i preferuar është adhuruesi i golfit. Sipas ekspertëve në këtë degë, ky turist harxhon deri më 600 euro në kuadrin e tri ditëve vetëm për të fjetur. Adhuruesit më të pasur të këtij sporti mund të harxhojnë madje 4-5 mijë euro.
Industria turistike bullgare duhet të adaptohet edhe me tendencat botërore. Ato tregojnë se rryma më e madhe e turistëve drejt Evropës vjen nga republikat aziatike. Gjatë dy dekadave në vijim klasa mesatare dhe të ardhurat në këtë regjion do të rriten. Bullgaria mund ti magjeps këta vizitues me folklorin, traditat dhe zanatet e saj, si dhe me qendrat moderne spa me ujë mineral.