22 Dhjetor 2024

Taksat shtrenjtojnë turizmin në Shqipëri

Tiranë, 24 dhjetor - Qeveria duhet të rishikojë me patjetër nivelin e taksave që prek sektorin e turizmit, në të kundërt, konkurrenca me vendet e rajonit do të bëhet më e vështirë.

Aktualisht, produktet shqiptare turistike kushtojnë deri në dy herë më shtrenjtë se në Maqedoni, Greqi apo në Mal të Zi.

Enver Mehmeti thotë në intervistën për gazetën “Shqip” se, në 20 vitet e fundit, sektori ka vuajtur nga shumë gabime të trashëguar nga e kaluara dhe se nevojitet marrja e masave.

Së fundmi ATA prezantoi indeksin në sektorin e turizmit. Shkurtimisht, si paraqitet situata, cilat ishin gjetjet më interesante në raport?

Indeksi në sektorin e turizmit është paraqitja e dytë e ATA-së dhe është shprehje e drejtpërdrejtë e anëtarëve të shoqatës, pra është shprehje e aktorëve realë në industrinë e turizmit.

Ky indeks ishte perceptimi integral i mendimeve të aktoreve në fusha të ndryshme, si në hoteleri–agjenci–tour, operatore–restorante, të shtrira në 12 rajone të vendit.

Në të ardhmen, ATA kërkon bashkëpunim me të gjitha grupet e interesit në mënyrë që analizat të jenë më të sakta, për të krijuar edhe një bazë të shëndetshme për strategjitë në sektor.

Në mënyrë të përmbledhur, në raport evidentohet fakti se ka një rritje pozitive në zonat kufitare të turistëve, kryesisht në Malin e Zi dhe në Maqedoni.

Operatorët turistikë në rajonet pranë kufijve shprehen me nota pozitive sa i takon fluksit të vizitorëve, kryesisht në Shkodër dhe Pogradec.

"Kemi një rritje të lehtë të prurjeve në zonat bregdetare Durrës-Vlorë–Sarandë dhe një tendencë më pozitive në Shëngjin. Kemi përmirësime edhe sa i takon mendimit të operatorëve mbi infrastrukturën, si dhe një ndikim më pak të liberalizimit të vizave".

Vihet re se bizneset në këtë sektor kërkojnë më shumë lobim nga ATA për mbrojtjen e interesave.

Në konkluzion ky indeks, duke pasur parasysh vitin e vështirë me ndikim të krizës ndërkombëtare, e quan të suksesshëm 2011-n, por duke analizuar kushtet reale të zhvillimeve krahas tregjeve të  konkurrencës në rajon, vë në vëmendje nevojën urgjente të marrjes  së masave emergjente për një zhvillim të turizmit të qëndrueshëm e cilësor.
 
Ashtu si degët e tjera të ekonomisë, edhe turizmi i ka të trashëguara problemet e lindura të tranzicionit në këto 20 vjet. Tani mund të thuash se ka nisur një epokë e re, e cila ka nevojë për një ndërhyrje emergjente, duke nisur me hartimin e strategjive reale, jo gjithçka të ngjashme me dokumentet aktuale. Nevojitet vendosja e piketave të duhura për zhvillimin e qëndrueshëm dhe cilësor të sektorit.

Të ndalemi te bregdeti, këtë dhuratë të Zotit, ku në 20 vjet zhvillimet spontane kanë mbizotëruar përfitimet e kompanive real–astate mbi pasurinë kombëtare me vlera të pallogaritshme. Shumëkush thotë që ky bregdet ka marrë fund. Por ka të tjerë që e shikojnë si mundësi të mirë për përfitime të shpejta. Mendoj që ka akoma shpresë. Gjykoj se nevojitet mendimi i atyre specialistëve që e njohin dhe e dine çfarë është turizmi, për të dalë në një dokument të qartë strategjie, pasi shanset e zhvillimit ekonomik të vendit janë të mëdha.

Ne duhet të ndërtojmë “njollat turistike”, ku zona të studiuara duhet t’i nënshtrohen ndërtimeve të vërteta për investitorë  realë në sektorin e resorteve turistike; fshatrave të vërteta turistike; hoteleve cilësore të integruar me animacione aq shumë të nevojshme për pushuesit. Ndërtimi i këtyre zonave nuk do të ishte një ndihmë vetëm për banorët lokalë, por për gjithë ekonominë kombëtare të një vendi si ne, kaq i vogël. Për krijimin e këtyre zonave kemi shumë mundësi, pasi ekzistojnë hapësira të bollshme, nga Veriu në Jug.

Është e vërtetë që nuk kemi eksperiencë në raport me vendet e tjera të kontinentit. Ekonomia e centralizuar na ka kufizuar në shumë dije, sikurse na kanë munguar statistikat. Duhet ta pranojmë, nuk kemi ditur se çfarë vlerash përfaqëson sektori i turizmit. Përmirësimi i kushteve dhe ndërmarrja e projekteve madhore në pamje të parë duken të vështira, por me besim të plotë mund ta realizojmë objektivin. Unë kam shpresë që situata do të përmirësohet, sikurse nga ana tjetër, nuk duhen përsëritur të njëjtat gabime.

Si paraqitet niveli i taksave tona në raport me vendet e rajonit dhe nëse është më i lartë, a përbëjnë pengesë për një konkurrencë të barabartë?

Taksat kanë një ndikim shumë të madh, pasi produkti turistik është në konkurrencë të fortë te vendet e Ballkanit. Pothuajse të gjitha vendet konkurrente me Shqipërinë, të nisura nga studime  të qarta për mënyrën e shprehjes dhe politikëbërjen e produktit  turistik, kanë marrë masa të menjëhershme për uljen e taksave.

Pse duhet të ulen këto taksa?! Dua të sqaroj se e kam për taksën e fjetjes në hotel dhe TVSH-në 20%. Këto taksa i paguajnë direkt turistët dhe i përfiton shteti si të ardhura.

Edhe pse ulja e këtyre taksave të krijon përshtypjen e rënies së të ardhurave, në fakt efektet janë më pozitive. Ulja e këtyre taksave bën që produkti turistik shqiptar del në tregun e konkurrencës më i lirë, kështu që është shumë më i mundshëm të shitet, e për rrjedhojë shtohen të ardhurat.

Rritja e numrit të turistëve për vlerën mesatare të konsumit të    1 turisti është një e ardhur shumë më e madhe e cila shkon direkt në të gjithë aktorët e fushës turistike (hotelet, operatorët, suveniret, baret, prodhuesit e ujit, aeroportet e shumë e shumë aktorë), të cilët janë të detyruar të paguajnë më shumë taksa në shtet. E parë në këtë drejtim, nga ulja e taksave nuk humbet askush dhe fitojnë të gjithë.

ATA ka bërë një lobim të konsiderueshëm të kësaj çështjeje dhe jemi shume të kënaqur nga bashkëpunimi me kryetarët e Bashkive të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe Pogradecit, të cilët kanë konfirmuar uljen deri në 50% të taksës së fjetjes (është bërë 2.5%). Sakaq, ATA po lobon me të gjithë aktorët politkëbërës për uljen e TVSH-së, pasi jemi vendi i vetëm në Ballkan që në turizëm kemi një vlerë TVSH-je pothuajse 2 herë më të lartë.

Konkurrenca e produktit tonë me vendet e tjera has në kushte të vështira, pasi Maqedonia e ka TVSH-në 5%, Greqia 9% dhe Mali i Zi, 8%. Kemi zhvilluar takime në Ministritë e Kulturës dhe Ekonomisë, ku kemi dalë me përshtypje të mira, por realizimi me sukses i këtij objektivi kërkon një pjesëmarrje më të gjerë. Ulja e kësaj takse do të jepte kontribute të mëdha për ekonominë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)