Strukturat ilegale kryejn vepra penale në Parkun Nacional të Sharrit
Prishtinë, 5 shtator - Institucioni paralel Nacionalni Park Sar Planina nga komuna e Shtërpcës, që nga paslufta ka vazhduar aktivitetin e saj ilegal në Parkun Nacional të Sharrit, duke bërë prerjen edhe shkatërrimin e drunjëve në pyllin e mbrojtur.
Aktiviteti i punëtorëve të institucionit paralel serb, ka përfshirë edhe shënjimin e trungjeve me çekan që nuk është valid në shtetin tonë, që në Republikën e Kosovës paraqet vepër penale.
Sipas raporteve të Drejtorisë së PK Sharr dhe Inspektoratit të MMPHsë, 27 punëtorë të kësaj strukture ilegale kanë kryer veprat penale, të dënueshme me ligjet e Kosovës, që përfshijnë Vjedhje të pyllit dhe Shaktërrim të pyjeve, sipas Kodit Penal.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë kërkesën në Prokurorinë Publike Komunale në Ferizaj për të hapur procedurë penale kundër të 27 personave, për veprat e kryera në mënyrë ilegale dhe duke shkaktuar dëm të pariparueshëm në parkun e mbrojtur.