Struga synon të arrijë 100 mijë vizitorë gjatë sezonit
Strugë, 24 prill - Drejtuesit e Administratës Komunale në Strugë, ka vite që kanë bërë publik synimin e tyre në fushën e turizmit, si një nga fushat më të rëndësishme të ekonomisë strugane.
Që në vitin 2006 ky synim konsistonte në arritjen e 100 mijë vizitorëve gjatë sezonit dhe 1 milionë bujtjeve.
Për të bërë realitet këto synime, po punohet me vite të tëra, në drejtim të marrjes së një sërë masash, si në përmirësimin e infrastrukturës së nevojshme, ashtu edhe në propagandimin e ofertës turistike të Strugës, në bursat turistike në vend dhe jashtë tij.
Këtij synimi, i shkon përshtat edhe fakti që plazhet e qytetit së fundi, janë dhënë me koncesion, ndërsa koncesionerët, gjithsesi, duke pasur parasysh faktin se ky biznes është mjaft fitimprurës, do të investojnë në plotësimin e kushteve që parashikon marrëveshja e koncesionimit, megjithëse koha për ta bërë këtë edhe nuk premton gjithaq.
Mandej, në qoftë se gjykohet sipas praktikës të viteve të fundit, të gjitha parakushtet janë që ky synim i deklaruar të arrihet sivjet.
Kjo edhe për faktin që Strugës, kanë filluar ti kthehen edhe vizitorët nga disa vende perëndimore, të cilët për shkak të rrethanave që kanë mbretëruar në Ballkan, këta dekadat e fundit, nuk kanë ardhur në vendin e tyre të preferuar.
Nga ana tjetër edhe një numër i konsiderueshëm vizitorësh nga Kosova, tanimë e kanë bërë traditë, që ta vizitojnë këtë qytet, pasi e kanë njohur këtë vend qysh nga koha kur qëndruan përkohësisht këtu, të detyruar nga dëbimi me dhunë nga forcat serbe.