Struga po 'pushtohet' nga turistët
Strugë, 29 qershor - Në plazhin e Strugës këtë fundjavë vërehet një numër i vogël i pushuesve pranë liqenit. Fundjava edhe kësaj radhe vizitohet nga turistët vendor nga vendbanimet e ndryshme, ndërsa nuk kanë munguar edhe pushues nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera.
Por në numër të madh janë edhe turistë holandez që në mënyrë të organizuar po vazhdojnë pushimet pranë Liqenit të Ohrit në Strugë dhe Ohër.
Lëvizjet në qytet dhe në plazh kanë nisur edhe nga mërgimtarët që prej kësaj fundjave kanë mbërritur për pushime në vendlindje, ndërsa gjatë javëve të ardhshme pritet shtimi i numrit të tyre, për shkak të pushimeve verore.
Duke pas parasysh se është muaj i agjërimit, pronarët e objekteve hotelierike që ndodhen në plazhin e Strugës, shprehen të kënaqur edhe gjatë ditës, por sidomos në orët e mbrëmjes kur edhe përgatisin iftare për grupe të ndryshme të pushuesve dhe të qytetarëve vendas.
Pronarët e lokaleve theksojnë se edhe pse me Ramazan, ka një numër të konsiderueshëm të turistëve që organizojnë pushimet e tyre. INA