Spanja, destinimi më i dëshiruar për vitin 2010
Madrid, 11 mars - Spanja është destinimi më i dëshiruar i evropianëve për këtë vit. Këto janë rezultatet nga hulumtimi i Komisionit Evropian (KE) i zbatuar mbi 30 mijë qytetarë të 27 vendeve evropiane anëtare të Bashkimit Evropian (BE).
Në hulumtimin Raporti i Evropianëve ndaj turizmit në vitin 2010, thuhet se 80 për qind e evropianëve planifikojnë të udhëtojnë sivjet, përderisa 20 për qind kanë deklaruar se nuk mendojnë fare për të shkuar në pushim.
Sipas hulumtimit të KE-së ekziston rritje e kërkesës së destinimeve tradicionale turistike, duke përfshirë edhe Spanjën me afërsisht 57 për qind. Nga ana tjetër, 28 për qind e qytetarëve të BE-së i rekomandojnë destinimet e panjohura.
Spanja është zgjedhur si një ndër vendet më të dëshiruara për pushim tashmë për të tretin vit me radhë. Më pas vijojnë Franca dhe Italia.
Dhjetë për qind e evropianëve pranojnë se kanë vështirësi serioze financiare të cilat ndikojnë në atë nëse do të shkojnë në pushim veror.