Sot fillon Festivali Ballkanik i pjekjes së rakisë 'Rakia Fest'
Prishtinë, 19 tetor - Sot në hapësirat e Etnokompleksit të fshatit Kukaj të Komunës së Prishtinës mbahet ceremonia e hapjes së edicionit të parë të Festivalit Ballkanik të pjekjes dhe promovimit të rakisë, 'Rakia Fest'.
Festivali ka për qëllim të promovojë si vlerë trashëgimore pjekjen tradicionale të rakisë dhe promovimin e saj në nivel nacional dhe rajonal.
Festivali do të zgjasë tri ditë dhe pos përcjelljes na afër të procesit të pjekjes së rakisë në mbi 15 hapësira vizitorët do të mund të provojnë shijet e brendeve të ndryshme kosovare e rajonale të rakisë.
Demonstrimi interaktiv para publikut i pjekjes së rakisë në kazana bakuri, spektakli i ndezjes së zjarreve, shoqëruar me programe muzikore nga bende të komuniteteve të rajonit, punëtoritë trajnuese, degustacioni dhe etno-ndejat deri në orët e vona do ta bëjnë këtë festival të veçantë dhe si një pikë takimi të kulturave dhe popujve të rajonit.
Përveç tjerash, festivali ka për qëllim ta promovojë artin e prodhimit artizanal të rakisë si një vlerë të trashëgimisë kulinare të popujve të Ballkanit.