Shqipëria pastron zonat turistike bregdetare
Tiranë, 7 prill - Ka vazhduar me plazhin e Spillesë në Kavajë aksioni për pastrimin e zonave turistike bregdetare në prag të çeljes së sezonit të ri turistik.
Sipërfaqja e rërës ishte e ndotur nga mbeturinat që deti sjell në breg, ndërsa parku i pishave përgjatë brezit të rërës edhe këtë vit ishte viktimë e sjelljes aspak qytetare të njerëzve që në kohë të ndryshme e kanë shfrytëzuar atë.
Fatos Kaja, kryetar i komunës Spille, thekson: Ky aksion është një sinjal që plazhi i Spillesë këtë verë do të jetë shumë i pastër për një turizëm sa më cilësor. Pastrimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Mbi 150 vullnetarë, anëtarë të Korpusit të Vullnetarëve si dhe nga administrata e komunës, punuan për pastrimin e plazhit dhe parkut të pishave duke bërë apel për mbajtjen pastër të tyre.
Vullnetarët bënë mbledhjen e diferencuar të mbeturinave duke grumbulluar mbetjet plastike, të cilat përbëjnë shumicën e tyre, dhe ua dorëzuan fabrikave të riciklimit.
Gjatë muajit prill dhe maj do të bëhet pastrimi i të gjitha plazheve, nga Velipoja deri në Orikum.