Shqipëria dhe Mal i Zi gati për turistë
Durrës, 28 maj - Autobusët e parë me turistë kosovarë për në Shqipëri dhe Mal të Zi kanë nisur, që në fillim të këtij muaji. Ndërkaq, ditëve të fundit numri i tyre vetëm sa është duke u rritur.
Përfaqësues të Agjencive Turistike, kanë bërë të ditur se edhe këtë verë po përgatisin pako aranzhmane për Shqipëri dhe për Mal të Zi. Çmimet nuk dallojnë edhe aq nga agjencia në agjenci.Arzana Selimi-Malisa, menaxhere në Aviokompaninë Eurokoha, ka treguar se kanë filluar aranzhmanet për në Shqipëri dhe Mal të Zi.
Ne i kemi disa turistë, që gjithmonë udhëtojnë me ne për në Durrës si dhe në Ulqin. Edhe pse ne më shumë kemi aranzhmane për në bregdetet e Turqisë, por megjithatë kemi edhe për në Ulqin dhe në Shqipëri. Në Durrës ka hotele me nga 10 euro për person vetëm për fjetje, ndërkaq, në hotelet me katër yje nga 25 euro, derisa në sezon edhe nga 40 euro. Mirëpo, krejt kjo varet prej kërkesave të klientëve, ka bërë të ditur ajo. Ndërsa, në Ulqin, siç ka treguar ajo, çmimet sillen rreth 35 euro e deri në 60 euro.
Pansioni i plotë 25 euro
Po ashtu, edhe Arian Saraqi, menaxher në agjencionin turistik AlbaKos, ka treguar se kanë filluar rezervimet. Ai ka thënë se prej 15 qershorit numri i turistëve pritet të rritet dukshëm. Siç ka njoftuar ai, arnazhment për në Shqipëri, tek Shkëmbi i Kavajës, janë diku 20 deri në 25 euro, për person (këtu përfshihet ushqimi tri herë në ditë e deri tek çadra në plazhe).
Ndër të tjerash, ai ka treguar se gjatë sezonit është një ofertë tjetër me 165 euro për dy persona, pako 7 ditore, derisa ka treguar se nëse futen më shumë se dy persona në dhomë, çmimi është më i lirë. Për shembull, nëse futen tre persona çmimi është 155 euro ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka treguar se vitin e kaluar me aranzhman të plotë i kanë pasur diku rreth 800 turistë, ndërkaq, vetëm me bileta rreth 1000. Po ashtu, edhe në Agjencinë Sharr Travel kanë bërë të ditur se aranzhmanet kanë filluar qysh në fillim të muajit.
Nga data 14 qershor fillojnë udhëtimet e rregullta për Sarandë, ndërsa për në Durrës veçse kanë filluar në fillim të muajit maj, nisjet bëhen në ora 6 të mëngjesit, ka thënë drejtori i kësaj kompanie. Ndërkaq, sa i përket çmimeve të hoteleve, ai ka treguar se kjo varet prej kërkesave që kanë turistët. Ne mundohemi që të ju përshtatemi çdo kërkese të turistëve kosovarë ka thënë më tutje ai. Sipas tij, pushimi për dhjetë ditë për një person sillet diku rreth 300 euro për muajin qershor.
Ndërsa, siç ka njoftuar ai, prej datës 1 korrik si zakonisht, çmimet e aranzhmaneve ndryshojnë, po nuk ndryshojnë edhe aq shumë, siç ka thënë ai, por me një ngritje të lehtë të çmimit. Çmimet prej 1 korrikut, sillen diku prej 400 deri në 500 euro, e kryesisht prej kategorizimit të hotelit. Për në Durrës dhe në Sarandë, hotelet i preferojnë me gjysmë pansioni, e kjo gjysmë pansion kalon shuma deri në 400 euro, ka treguar ai.
Biletat nga 15 deri në 35 euro
Sa i përket vitit të kaluar ai ka treguar se Sharr Travel, ka pasur pako me aranzhmane më shumë për familjarë. Po ashtu, ai ka njoftuar se që nga data 14 qershor fillojnë udhëtimet me autobusë për në Sarandë, Himarë, Vlorë, Ksamil ku çmimet e biletave fillojnë nga 15 euro e deri në 35 euro.
Bileta 15 euro kthyese për në Durrës e Velipojë, ndërsa për në Vlorë 25 euro, Dhërmi 30 euro bileta kthyese, Sarandë 35 euro bileta kthyese e për Ulqin bileta kthyese është 20 euro. Nga ana tjetër, Vesa Morina, agjente e turizmit në As Travel, ka treguar se As Travel merret me aranzhimin e hoteleve, siç ka njoftuar ajo, kanë filluar aranzhimet për në Mal të Zi, me nga 15 deri në 20 euro.
/Zëri/