Shkurtimet nuk ndikojnë tek turizmi në Uashington
Washington, 4 qershor - Turizmi në Washington DC pritej të dëmtohej nga shkurtimet automatike të buxhetit federal prej 85 miliardë dollarësh.
Shtëpia e Bardhë anuloi vizitat e turistëve, ndërsa parqet kombëtare dhe muzeumet reduktuan shërbimet, por sezoni veror i turizmit në Washington tashmë ka filluar dhe shumica e vizitorëve nuk janë prekur nga shkurtimet buxhetore.
Numri i vizitorëve që vijnë në Muzeun Kombëtar të Aeronautikës dhe Hapësirës në fakt është rritur që nga koha kur hynë në fuqi shkurtimet automatike. Buxheti për muzetë Smithsonian që ndodhen përgjatë Sheshit Kombëtar në Washington u reduktua për 42 milionë dollarë por zëdhënësja Linda St. Thomas thotë se shumica e programeve turistike nuk janë prekur nga shkurtimet.
Ne u detyruam të bënim shkurtime në departamentet e mirëmbajtjes dhe kontratave. Reduktuam udhëtimet dhe shumë aktivitete të tjera të personelit si dhe nuk plotësuam vendet e hapura të punës. Pra, ne bëmë gjithçka për të shmangur ndikimin e shkurtimeve mbi turistët.
Shkurtimet buxhetore detyruan mbylljen e vetëm tre ekspozitave në 16 muzetë Smithsonian. Në muzeun e Arkivave Kombëtare, ku vizitorët mund të shohin kopjen origjinale të Deklaratës së Pavarësisë orari i mbrëmjes është eliminuar. Efekti më i dukshëm i shkurtimeve buxhetore ka qenë eliminimi i vizitave të turistëve në Shtëpinë e Bardhë. Por mesatarisht, vetëm tre për qind e 18 milionë vizitorëve që vijnë në Washington çdo vit vizitojnë Shtëpinë e Bardhë.
Marcus Warden, i cili me familjen e tij ka ardhur nga Britania për të vizituar Washington in, nuk kishte njohuri mbi shkurtimet automatike dhe mendoi se vizitat në Shtëpinë e Bardhë ishin ndërprerë vetëm për të huajt.
Do të doja ta vizitoja Shtëpinë e Bardhë, por për momentin shtetasve të huaj nuk u lejohet ta vizitojnë atë. Nuk e di se përse ka ndodhur kjo.
Qëllimi i shkurtimeve automatike buxhetore ishte krijimi i një presioni nga publiku për Presidentin dhe Kongresin në mënyrë që ata të negocionin një marrëveshje afatgjatë për reduktimin e borxhit. Por David Nathanson, i cili ka ardhur nga Virxhinia me vajzën e tij për të vizituar muzeumet, thotë se kjo strategji nuk po funksionon.
Mendoj se shkurtimet ishin një mjet politik për të dyja palët, dhe nuk mendoj se ndikimi i tyre ka qenë aq i madh sa çmendonin shumë njerëz. Nuk mendoj se ndikimi ka qenë i madh ose i dëmshëm dhe për mua kjo është mjaft e qartë.
Zoti Nathanson dhe shumica e turistëve që vizitojnë Washington in thonë se ata nuk po ndjejnë asnjë efekt të dhimbshëm nga shkurtimet automatike buxhetore.