Shënohet dita botërore e turizmit
Podujevë, 27 shtator - Me rastin e Ditës Botërore të Turizmit Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës edhe këtë vit do të organizojë një aktivitet me biçikleta duke promovuar një shteg prej 39 kilometra në mënyrë që Kosova të sensibilizohet me të gjitha vendet e botës duke treguar që edhe vendi ynë ka potenciale dhe mundësi për zhvillimin e turizmit.
Sivjet aktiviteti do të mbahet në Komunën e Podujevës, ku Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës (ShTAK) në bashkëpunim me Grupin e Çiklistëve të Podujevës Podujevas Cycling Group do të organizojë aktivitet me biçikleta në qytetin e Podujevës.
Aktiviteti me biçikleta do të përfshijë një shteg prej rreth 39 kilometrave i cili do të fillojë nga Sheshi i Qytetit dhe do të përshkojë disa nga fshatrat e qytetit si: fshatin Balloc, Herticë, Drazhnje, Turuqicë, Orllan, Batllavë, Dumosh, Sfeqël, Surkish, dhe prapë kthimi do të bëhet tek Sheshi i Qytetit.
Në këtë aktivitet parashihet të marrin pjesë rreth 200 pjesëmarrës.