Sazani si destinacion turistik
Sarandë, 21 maj - Ata që janë në kërkim të plazheve të pazbuluar të Mesdheut së shpejti do të kenë mundësi të vizitojnë ishullin e Sazanit që prej dekadash ka qenë i paarritshëm për publikun.
Autoritetet shqiptare kanë në plan ta shndërrojnë Sazanin në një destinacion turistik për ata që janë të interesuar në faunën dhe florën e Adriatikut si dhe në të kaluarën e ishullut si bazë ushtarake:
Ishulli i Sazanit e mbart mbi vete të kaluarën e tij. Sapo zbret në breg dallon bunkerët, objektet ushtarake dhe ndërtesat e shkatërruara të periudhës komuniste, ku strehoheshin para pak dekadash rreth 300 familje.
Auron Tare, i cili drejton Qendrën Shqiptare të Kërkimeve Detare, thotë se ishulli konsiderohej si vija e parë e mbrojtjes së Shqipërisë nga inkursionet e Perëndimit:
Ishulli i Sazanit ishte një ndër sekretet më të mëdha të Shqipërisë komuniste. Për 50 vjet u përdor si bazë ushtarake e ndërtuar nën influencën e rusëve dhe të kinezëve si vija e parë e frontit të mbrojtjes nga pushtimet e bllokut perëndimor. Kjo ishte ideja e ushtrisë shqiptare të periudhës komuniste, e cila shpenzoi miliona dollarë për ta fortifikuar ishullin, duke ngritur bunkerë, tunele atomike dhe objekte të tjera ushtarake.
Përveç objekteve ushtarake, në ishull ka edhe një numër ndërtesash që përmbushnin nevojat e familjeve të ushtarakeve me banim në Sazan: një kopësht, një shkollë tetëvjeçare dhe një kinema.
Me ndërrimin e sistemeve, baza u braktis dhe prej 20 vjetësh objektet ushtarake dhe civile janë lënë në mëshirën e fatit dhe të elementëve të natyrës.
Tani ishulli po përgatitet për një kapitull të ri në historinë e tij: atë të destinacionit turistik dhe ekologjik. Autoritetet shqiptare shpresojnë se pozita gjeografike e ishullit në mes të dy deteve që lagin brigjet e Shqipërisë, moti me diell në pjesën më të madhe të vitit dhe vetë e kaluara e Sazanit do ta bëjnë atë një pikë tërheqëse për turistët.
Celine Damery e agjencisë franceze të mbrojtjes së vijës bregdetare po punon me ekipin shqiptar me projektin turistik për ishullin:
Ideja e projektit është që të mbrohet ishulli i Sazanit dhe të hapet për publikun. Në vitet 2012 dhe 2013 organizuam një ekspeditë diagnostikimi në ishull, për të analizuar vlerat e Sazanit për sa i përket larmisë biologjike, terrenit dhe vlerave historike që lidhen me aktivitetin ushtarak në ishull gjatë komunizmit.
Ekipi që po punon për projektin turistik planifikon ngritjen e një qendre informimi për vizitorët, të cilët do të mund të shëtisin natyrën në brendësi të ishullit, apo të vrojtojnë faunën e zonës.
/Zeri i Amerikes/