23 Dhjetor 2024

Saranda, perla e turizmit shqiptar

Sarandë, 7 maj - Më shumë se 500 mijë turistë zgjedhin Sarandën, si destinacionin e tyre për pushime. Një ndër perlat e turizmit shqiptar, ku ndërthuren plazhet e bukura me pasuri të shumta arkeologjike.

Për të prekur gjurmët e historisë së lashtë dhe monumenteve arkeologjike, duhet vizituar Butrinti. Parku arkeologjik, i shpallur si pasuri e njerëzimit, ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh. Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë i kripur dhe gjysmë i ëmbël, dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit.

Sipas arkeologëve, monumentet këtu përfaqësojnë rreth 2000 vjet histori, nga tempujt helenë të shekullit të IV para Krishtit, deri në fortifikime mbrojtëse otomane të fillim shekullit të XIX.

Kalaja e Lëkurësit ndodhet midis rrënojave të fshatit Lëkurës, të braktisur në vitin 1878. Ajo është mbi majën e një kodre të lartë, që ngrihet në formën e një piramide. Ka një pozicion të veçantë strategjik, nga ku mund të shikoni gjithë qytetin e Sarandës dhe rrugën që shkon në Butrint, gjithashtu mund të shijoni dhe një panoramë të ishujve të Ksamilit. Mendohet, nga historianët, të jetë ndërtuar rreth viteve 1537, në kohën kur Sulltan Sulejmani sulmoi Korfuzin.

Parku Arkeologjik i Finiqit përfaqëson një tjetër gjurmë lashtësie në Sarandë. Finiqi i sotëm ishte kryeqendra e Kaonisë së dikurshme, dhe në vitin 234 para Krishtit u bë kryeqendra e Epirit.

Manastiri i Mesopotamit përfaqëson një rast unikal në arkitekturën bizantine botërore. Ai është një nga monumentet më të spikatura të trashëgimisë kultururore në vendin tonë. Sipas të dhënave, ky manastir është ndërtuar mes shekujve XI-XIII, në kohën e perandorit Kostandini i 9. Manastiri i Shën Kollit në Mesopotam është i vendosur në një kodër të butë, duke zënë pjesën më jugore të saj.

Manastiri i 40 shenjtorëve është vendi, i cili i ka dhënë emrin qytetit të Sarandës. Muri rrethues i epokës bizantine, në pjesën perëndimore të qytetit të sotëm; rrënojat e një manastiri paleokristian me emrin “Ajii Saranda”, që ngrihet në shpatin e malit mbi Sarandë; janë të vetmet gjurmë që përligjin prejardhjen e emrit të qytetit. Specialistët e arkeologjisë thonë se ky manastir është unikal për nga stili i ndërtimit, me 40 dhomat e tij.

Për të kompletuar vizitën arkelologjike nuk duhet lënë pa vizituar edhe Manastiri i Shëngjergjit, në afërsi të Ksamilit, si dhe Sinagoga hebraike, e konsideruar si më e plota në Mesdhe. Por, nuk janë vetëm këto gjurmë mijëra vjeçare, që e bëjnë Sarandën të bukur. Syri i Kaltër dhe plazhet e mrekullueshme kanë bërë që ky qytet të jetë i shumëdëshiruar

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)