Rritet turizmi në Pogradec
Pogradec, 25 korrik - Vera në Pogradec është e mbushur me një numër të madh turistësh, por korriku i këtij viti ka sjellë vizitorë më shumë se kurrë. Me sa duket i tillë pritet të jetë edhe gushti.
Burime pranë Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, bënë të ditur se gjatë javës që kaloi, në pikat e kalimit kufitar të rajonit juglindor, janë futur rreth 50.000 shtetas të huaj e vendas.
Me qindra janë edhe ata nga Tirana, Elbasani, Korça e qytete të tjera të vendit që i kanë dhënë fund dilemës se ku do t\'i kalojnë pushimet, duke zgjedhur Pogradecin. Të gjitha hotelet janë te prenotuara dhe bashkë me ta edhe kapacitetet e turizmit familjar. Duket se çmimet janë të leverdisëshme për të dyja palët. Dy mijë lekë krevati për një natë në hotele dhe një mijë në dhomat familjare të lëshuara me qira.
Por, qindra qytetarë nga Tirana, Elbasani, Korça etj, kanë tashmë edhe apartamentet e tyre të verimit në këtë qytet, ku kanë pllakosur siç thotë populli, \"me kuç e me maç\"
E të mëdhenj e të vegjël pothuajse tërë ditën në liqen e në mbrëmje, duke shëtitur në ajrin e freskët, në një park pranë tij, ku tregtarë të shumtë ambulantë t\'i japin të gjitha çkërkon te dora.
Mbi të gjitha, bregu i Liqenit të Ohrit, duke filluar nga Lini e deri në Tushemisht, ofron një infrastrukture mjaft të përmirësuar për turizmin me hotelet e resortet, restorantet e baret e shumta dhe sidomos kushtet mjaft komode të turizmit familjar.
Hotelomania e betonizuar, duket se po ia lë vendin vilave klimaterike, të stilizuara me elementë të traditës: gur, dru e gatime karakteristike, pranë liqenit e në mes të drurëve dekorative e gjelbërimit, siç është edhe ajo më e fundit që u përurua mbrëmë në Tushemisht: \"Vila 31\" e vëllezërve Ganolli.
Banorët e pikave turistike në këtë rajon janë bërë me praktikë, duke parë vlerat, duke i mbrojtur e zhvilluar ato. Mbi këtë bazë ngrenë e promovojnë aktivitetin turistik dhe impaktet janë gjithnjë e më pozitive për biznesin dhe ekonominë e tyre.
Liqeni i Ohrit, sipas burimeve shkencore, është më i vjetri e më i thelli në botë dhe si i tillë është superlativ. Zona rreth tij është unike në shkallë globale, me një ekosistem krejt të veçantë e mjaft të rëndësishëm. Liqeni ka një sipërfaqe 358,2 km katrore, vija e bregut të tij 87,5 km, gjerësia 14,8 km, gjatësia 30, 8 km dhe thellësia 289 m. Pikat më të larta në zonë janë ajo në Mokër 1589 m mbi nivelin e detit dhe tjetra në vargmalin e Jabllanicës 1945 m. Në këtë zone gjenden 1340 specie të florës e faunës, 745 prej të cilave endemike; 17 lloje peshq, ku 10 prej tyre janë mjaft të shijshëm, sidomos korani, belushka, krapi etj.