22 Dhjetor 2024

Rënia e Detroitit ka shkaktuar rritjen e turizmit

Detroid, 10 shkurt - Qyteti i Detroitit njihet më shumë për rrënojat se sa për makinat që dikur krijoheshin në fabrikat tashmë të braktisura. Por rënia e Detroitit ka shkaktuar rritjen e një fenomeni të ri - turizmi i rrënojave.

Turmat e admiruesve të muzikës rock janë tashmë një kujtim i largët në Teatrin Eastown të Detroitit. Në këtë mëngjes të ftohtë, trotuari shërben si shtrat për të pastrehët. Nëse hyn brenda, do të shohësh skenën që dikur mirëpriti artistët Bob Seger, Ted Nugent dhe Alice Cooper të mbushur me vrima.
 
Tani ajo ngjan më shumë me pasojat pas një bombardimi, por nuk është shkatërruar nga lufta. Është rezultat i neglizhencës, një shembull i rënies ekonomike. Fotografi Jesse Welter sheh përtej rrënojave. Ai sheh art.
 
“Mund të shoh bukurinë në të, dhe arkitekturën”.
 
Ish bukuria e Kishës Katolike Shën Agnes është prishur nga kolonat e shkatërruara, dritaret e thyera. Nuk ka patur asnjë shërbim këtu që nga viti 2006. Brenda shkollës pranë kishës gjenden këpucë të harruara, libra të hapur mbi banka të braktisura, dhe korridorë të mbushur me mbeturina. Kjo është tabloja e Jesse Welterit. Aparati fotografik është peneli i tij, dhe arti i tij tregon një histori.
 
“Mendoj se të tregojnë historinë. Të kaluarën. Çfarë është, dhe në çfarë është shndërruar”.
 
Për Welterin ky nuk është një aktivitet i thjeshtë, por një punë me kohë të pjesshme, si një udhëtim mes mjerimit të Detroitit.
 
“Po merresha vetëm me këtë, pastaj mendova, pse të mos marr njerëz me vete”.
 
Në vitin 2011, Welteri filloi të ftonte fotografë të tjerë gjatë aventurave të tij mes historisë arkitektonike në zhdukje të Detroitit. Tani, ai kërkon mes 40 dhe 100 dollarë për person për ekskursione mes rrënojave të qytetit. Ai thotë se shumicën e parave e përdor për transportin e klientëve.
 
“Me furgonin tim mund të marr 10 njerëz, dhe zakonisht është plot. Kam qenë në gati 180 ndërtesa të ndryshme, dhe kam udhëhequr rreth 300 ekskursione”.
 
Popullariteti i ekskursioneve të Welterit është rritur me rritjen e numrit të ndërtesave të braktisura. Menaxheri emergjent i Detroitit Kevyn Orr tha se gjenden rreth 78,000 godina të braktisura, të cilat preken nga vandalizmi dhe zjarri.
 
“Tani për tani i është dhënë rëndësi e veçantë sigurisë publike”.
 
Glenda Price është bashkë-kryesuese e ekipit të Eliminimit të Ndërtesave të Shkatërruara. Ata po zhvillojnë një plan për të eliminuar rrënojat e Detroitit brenda tre viteve të ardhshëm.
 
“Po kontrollojmë të gjitha godinat në qytet, dhe zonat boshe”.
 
Një nga godinat më të mëdha është ish fabrika e makinave Packard, e cila shtrihet mbi 16 hektarë. Është një nga destinacionet më të preferuara dhe të pabesueshme të ekskursioneve të Welterit.
 
“Pasi fillon të shohësh më shumë gjëra të tilla, nuk të bën më përshtypje”.
 
Udhëtimi i Welterit përmes këtij vendi të braktisur është sa hidhur aq edhe i ëmbël, sepse mund të jetë një nga ekskursionet e fundit që ai do të ofrojë këtu. Fabrika ka një pronar të ri i cili është i interesuar ta zhvillojë vendin. Në vend të rrënojave të braktisura, mund të shndërrohet në shtëpinë e dikujt.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)