Pronarët e vilave që mund të shemben do të ankohen tek EULEX
Prishtinë, 16 dhjetor - Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) kërcënon se do të shembë të paktën 20 vila që sipas saj janë pa leje ndërtimore në Prevallë.
Pronarët e vilave të ndërtuara në vitet e 80 në Prevallë kanë kundërshtuar aksionin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për rrënimin e shtëpive në kuadër të fushatës së fundit për largimin e ndërtimeve pa leje në këtë zonë të parkut kombëtar në \"Sharri\".
Ata kanë bërë të ditur se këto vila nuk janë të jashtëligjshme, pasi janë ndërtuar në përputhje me rregullat e caktuara në kohën e pushtetit jugosllav. Ndërkohë edhe pronarët e vilave të reja, të ndërtuara pas vitit 2006, në kuadër të projektit Fshati Turistik Prevalla kanë theksuar se do të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore për pengimin e aksionit të rrënimeve, shkruan sot Koha Ditore.
Reagimi i tyre vjen pas angazhimit të MMPH-së për rrënimin e 27 objekteve që konsiderohen se nuk kanë leje në përputhje me Planin rregullativ urban Prevalla.
Të hënën aktpadinë do t\'a paraqes në EULEX. Kjo situatë është bërë e padurueshme, ka thënë Arsim Alija nga Ferizaj, pronar i një vile të ndërtuar në vitet 80 në Prevallë.
I kemi dërguar shkresa MMPH-së dhe për më shumë se 10 ditë asnjë përgjigjë nuk kemi marrë, ka deklaruar Alija.