23 Dhjetor 2024

“Promovimi i shërbimeve të turizmit rural dhe të infrastrukturës në Rajonin e Shalës”

Prishtinë, 23 korrik - Në ambientet e bukura të Shalës është përuruar sot projekti i cili promovon shërbimet e  turizmit rural dhe të infrastrukturës në fshatrat e kësaj ane.

Ndërtimi i shtigjeve për ecje i cili lidhë fshatrat e kësaj ane, shpërndarja e biçikletave si dhe restaurim i gjashtë odave si bujtina për turistët janë vetëm disa nga aktivitetet e projektit “Promovimi i shërbimeve rurale të turizmit dhe infrastrukturës në zonën e Shalës\". Përveç odave sot në kuadër të këtij projekti është bërë edhe përurimi i Turbinës së ujit në fshatin Sllakovc të Vushtrrisë, e cila është një shembull i prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme.

Në ceremoninë e përurimit të projektit, shefi i Sektorit të Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Christof Stock, tha se ky projekt synon që të promovojë rajonin e Shalën si zonë turistike jo vetëm në Kosovë por edhe për vizitorët e huaj që mund të vijnë këtu.

 “Çka është me rëndësi në këtë projekt?! ... Fillimisht do të thoja shtigjet për ecje dhe biçikletat. Është kënaqësi e madhe se këtu mund edhe të merrni biçikleta me qera për t’u shfrytëzuar përgjatë shtegut i cili them se është mjaft sfidues, por mendoj se është një mundësi e mirë edhe për të ushtruar pasi që të gjithë kemi nevojë për një jetë të shëndoshë me aktivitete sportive. Dhe pas një udhëtimi prej 14 km i cili mund të jetë sfidues, vizitorët mund të ndalen dhe të pushojnë dhe të akomodohen në njërën nga këto oda...”, tha zoti Stock.

Në projektin për promovimin e turizmit rural në zonën e Shalës janë investuar mbi 470 mijë Euro, prej nga 90 përqind janë kontribut i Bashkimit Evropian dhe implementuar nga Nisma për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë - IADK në partneritet me Komunën e Mitrovicës dhe Komunës së Vushtrrisë.

 “Rajoni i Shalës ofron mundësi të shumta, qoftë për turizëm, qoftë për blegtori apo për zhvillimin ekonomik në forma të ndryshme, pastaj kemi edhe objekte të ndryshme të trashëgimisë kulturore të cilat vlen të ruhen dhe konservohen sikur që është vepruar përmes këtij projekti me mullirin, urat, krojet dhe odat...”, tha zoti Bajram Mulaku, kryetar i Komunës së Vushtrrisë.

“Ky projekt është një nismë e mbarë për zhvillimin në veçanti të turizmit të rajonit të Shalës, ndonëse kur flitet për Shalën gjithherë asocion në burimet nëntokësore, por përveç atyre burimeve nëntokësore , kjo zonë ka edhe një aset shumë të rëndësishëm e që është zhvillimi i turizmit dhe i bujqësisë”, tha zoti Safet Kamberi, Nënkryetar i Komunës së Mitrovicës.
Ndërkaq Zenel Bunjaku, drejtor ekzekutiv i IADK-së e cila e ka bërë zbatimin e këtij projekti, vlerësoi se me këtë projekt po synohet që krahas rritjes së prodhimtarisë në zonat rurale të fillohet me ofrimin e shërbimeve dhe zhvillimin e turizimit rural.

Projekti për promovimin e zonës së Shalës synon fuqizimin ekonomik të familjeve të kësaj ane duke iu mundësuar atyre fillimin e bizneseve të reja për turizëm, rritjen e kualitetit të sasisë së prodhimit të ushqimeve tradicionale, avancimin e shërbimeve turistike në zonat rurale si dhe promovimin e prodhimit dhe të shfrytëzimit të energjisë alternative.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)