Projekti i Brezovicës në fazën e e kërkesave për Shprehje të Interesit
Prishtinë, 22 mars - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka mbajtur një takim me anëtarët e interesuar për Projektin e Brezovicës të të gjitha Odave Ekonomike në Kosovë, asociacinet e bizneseve, deputet dhe akterë të tjerë me çrast është prezantuar Projekti për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës.
Agjenda është hapur nga Ministrja dhe njëherësh kryesuesja e Komitetit Drejtues Ndërministror për Projektin e Brezovicës, Mimoza Kusari-Lila, ndërkaq fjalim rasti mbajti edhe Kryetari i Shtërpcës, Bratislav Nikoliq. Të pranishëm ishin edhe anëtarë tjerë të Komitetit Drejtues Ndërministror.
Ministrja Mimoza Kusari Lila, në fjalën hyrëse mes tjerash tha se projekti për Zhvillimin e Qendrës Turistike në Brezovicë cilësohet si projekt me rëndësi kombëtare dhe krucial për zhvillimin ekonomik të Komunës së Shtëprcës në veçanti dhe të Kosovës në përgjithësi.
Më pas, kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq ka folur për rëndësinë e Projektit të Brezovicës në nivel lokal të komunës së Shtërpcës dhe ka cekur se Projekti i Brezovicës duhet të zhvillohet nga investitorë që janë të specializuar dhe me kapacitete të bollshme në realizimin e projekteve të ngjashme.
Ndërkohë, Azem Rexhaj, Udhëheqës i Njësisë Implementuese të Projektit të Brezovicës ka bërë prezantimin e detajshëm të Projektit Zhvillimor të Brezovicës duke i kushtuar theks të veçantë potencialeve natyrore të Brezovicës, hapësirave zhvillimore, qendrës ekzistuese të skijimit, infrastrukturës ekzistuese, kornizës dhe strukturës ligjore etj.
Po ashtu, janë zhvilluar edhe diskutime që kanë të bëjnë me planifikimin dhe realizimin e Projektit Zhvillimor të Brezovicës në hapësirat e propozuara për Projektin e Zhvillimit të Brezovicës nga Njësia Implementuese e Projektit përkatësisht Komiteti Drejtues Ndërministror.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje! dhe njëherësh zv/kryetar i parë i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Liburn Aliu, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me hapësirën zonën A, e cila sipas tij, është e mbrojtur dhe do të duhej të mbetej si e tillë. Ai po ashtu ka insistuar se është dashur të bëheshin analiza të ndikimit në mjedis qysh në fillim të këtij projekti.
Ministrja Kusari Lila, është përgjigjur lidhur me këtë çështje duke thënë se Komiteti Drejtues Ndërministror ka marrë vendim që së pari të revitalizohet qendra ekzistuese e skijimit dhe më pas të zgjerohet në pjesë të tjera të cilat përbehen kryesisht nga pronat publike dhe shtetërore.
Për më tepër, ajo ka shtuar se Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, është anëtar i KDNM-së dhe se do të veprohet në përputhje me ligjet në fuqi dhe standardat përkatëse për mbrojtjen e mjedisin.
Projekti Zhvillimor i Qendrës Turistike të Brezovicës është në fazën e e kërkesave për Shprehje të Interesit nga investitorët e huaj dhe vendor. Afati për dorëzimin e Shprehjes së Interesit do të përfundoj më 2 Prill 2013.