22 Dhjetor 2024

Pogradeci, një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë

Pogradec, 17 prill - Pogradeci është qytet në Shqipërinë juglindore në bregun jugperëndimor të liqenit të Ohrit. Qyteti numëronte rreth 38,000 banorë në vitin 2009.
 
Pogradeci ndodhet në juglindje të Republikës shqiptare, është kryeqendra e rrethit të Pogradecit dhe bënë pjesë të qarkut të Korçës. Qyteti ka një sipërfaqe prej 13 km² dhe ndodhet në bregun të liqenit të Ohrit. Pogradeci shtrihet 700 metra mbi nivelin e detit në një luginë, e cila rrethohet nga malet në perëndim dhe nga kodra të ulta në jug dhe në lindje.

Enkelejtë kanë qenë fis që kanë jetuar brenda mureve të kalasë së ndërtuar në majë të kodrës pranë qytetit, në pjesën veri-perëndimore të qytetit. Dikur qyteti kishte dimensionet e kalasë, ku momentalisht gjenden vetëm rrënojat. Me rritjen e popullsisë dhe mbarimit të luftërave lindi nevoja e zgjerimit. Fillimisht rrëzë kodrës e më vonë deri në atë skaj saqë kalaja e vjetër nuk përbënte më qendrën e qytetit.

Pogradeci ka një histori të lashtë dhe dokumenta të shumta kulturore, gjeologjike dhe natyrore. Gërmimet arkeologjike në kodrën mbi qytet kanë zbuluar një vendbanim ilir të shekullit V para Krishtit, që i përket fiseve të lashta Desaret dhe mbase Enkelejve. Gjatë shekujve në vazhdim njerëzit e fshatit zbritën poshtë në rrëzë të kodrës dhe krijuan qytetin e Pogradecit, përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit.

Zbulimet arkeologjike, që konfirmojnë popullimin në këtë rajon, datojnë nga Periudha Neolitike (6000 vjet para Krishtit), me popullsi dhe ndërtime në rritje gjatë periudhave të Bakrit, Broncit dhe Hekurit. 24 monumente natyre dhe 36 monumente të kulturës janë zyrtarisht të dokumentuara. Disa nga monumentet më interesante janë:

Rrënojat e një vendbanimi ilir dhe një kishë Kristiane me mozaikë shumëngjyrësh janë gjetur në fshatin piktoresk të Linit i cili ndodhet në brigjet e Liqenit të Ohrit.

Fshati i Selcës së sipërme i populluar që nga shekulli VI para Krishtit, kërkonte të bashkohej në betejat e Alexandrit të Madh. Pesë varre të lashtë monumentalë me hyrje të gdhendura tregojnë famën e qytetit të fuqishëm antik të Pelionit, ku ka jetuar mbreti ilir, Klit.

Rruga Romake Via Egnatia kalon përmes rajonit, nga Ohri, përgjatë fshatrave të Mokrës dhe mbaron në detin Adriatik në Durrës. Ura e Golikut (shek. XVII) ndërtuar mbi Lumin Shkumbin është gjurmë e kësaj rruge të vjetër romake.

Burime të shumta ujore përfshi Burimet e Drilonit ku uji i pastër dhe i kristaltë rrjedh në Lumin Drilon dhe më pas në liqen.

Shpella të shenjta dhe një kishë ndodhen pranë Qafë-Thanës dhe kufirit me Maqedoninë. Pikturat e bëra nga heremitët në mesjetë mund të shihen në kishë dhe në muret e shpellës.

Në gadishullin e Linit mozaikët që datojnë shekullin e VI – VII të magjepsin me bukurinë e tyre, por gojëdhëna për perandorin Justinian të bizantit të shekullit të VI është shumë joshëse. Gojëdhëna thotë: Justiniani, perandori me origjinë ilire, në një moment kritik ka fshehur në brigjet e liqenit të Ohrit në afërsi me gadishullin e Linit një pjesë të rëndësishme të thesarit të perandorisë bizantine. Kjo gojëdhënë ka katërmbëdhjetë shekuj që vjen deri në ditët e sotme.

Rrënojat e kalasë të shekullit IV në kodrën mbi Pogradecit kanë disa formacione interesante me mure të parregullt gurësh. Që nga kalaja e vjetër, liqeni dhe pamjet e maleve janë të mrekullueshme, si është dhe pamja e formacionit shkëmbor Guri i Kamjes.

Kalaja e Pogradecit është e vendosur në majën e kodrës, në pjesën perëndimore të qytetit të Pogradecit, me lartësi 205 m mbi nivelin e liqenit të Ohrit. Ka filluar të banohej që në shekullin V para Krishtit, ndërsa në shekullin IV para Krishtit u pajis me mure mbrojtëse. Ka pasur një vjetërsi banimi prej 1400 vjetësh, duke qenë një kala iliro-shqiptare e hershme.

Invadimi avaro-sllav në shekullin e VII-VIII dhe sidomos perandoria bullgare në shekujt XI-XII ndryshoi mënyrën e jetës në këtë zona nga ajo \"polis\" (jetohej brenda mureve të kalave) në atë sedentare fushore duke formuar vendbanime me toponimi sllave. Pogradeci do të shkruhej \"Pogda grada\", që do të thotë \"nën qytet\". Tashmë qyteti i ri shtrihej nën kalanë e vjetër ilire që është kalaja e Pogradecit.

Pogradeci në të kaluarën ka qenë një qendër e rëndësishme industriale në Shqipëri. Për tu përmendur në atë kohë janë industria e kromit, e hekurit, e nikelit, e qymyrit, e peshkimit, e përpunim drurit dhe të pijeve.

Plazhi e Pogradecit ndodhet brenda në qytet përgjatë shetitores \"1 Maji\". Është një plazh më rërë, ujë të pastër dhe mundësi për argetim. Në Pogradec ka edhe disa plazhe të tjerë private e publike, me rërë e guralece të vegjël. Jashtë qytetit janë plazhet me ujë të kristaltë të Linit dhe Tushëmishtit.

Pogradeci ka një muze të pasur me deshmi antikiteti dhe të kohës së luftës, ka kishën e vjetër ortodokse, që quhet kisha e Shën Mërisë dhe ndodhet në lagjen e vjetër të Pogradecit, si dhe një kishë të re, më arkitekturë shumë të vecante të quajtur Ringjallja.

Qyteti gjithashtu ka dy xhami. Njera ndodhet në qendër të qytetit dhe tjetra në lagjen e quajtur Goricë.

Katër kilometër në lindje të Pogradecit ndodhet pika turistike të Drilonit
 
Pogradeci ndodhet rreth 139 km larg Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, 40 km larg nga Korça, 5 km larg nga Tushëmishti (pikë kalimi kufitar me Maqedoninë), 25 km larg Ohrit (qytetit përballe Pogradecit në anën tjetër të liqenit).

Aeroporti më i afërt është ai i Ohrit. Pogradeci është ndalimi i fundit i linjës hekurudhore Tiranë - Durrës - Elbasan - Librazhd - Pogradec. Qyteti i Pogradecit është pjesë e Superstradës SH 3, që shkon nga Tirana deri te pikën kufitare të Kapshticës në Devoll dhe vazhdon në Greqi.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)