22 Dhjetor 2024

Pesë kompani dorëzojnë ofertat për Brezovicën

Prishtinë, 23 prill - Në kuadër të fazës së parë të Projektit Zhvillimor të Qendrës Turistike të Brezovicës, sot është bërë pranimi dhe hapja e kërkesave për Shprehje të Interesit  nga kompani të interesuara për këtë projekt.

Manik Begolli Këshilltar për Marrëdhenie me Publikun nga Projekti Zhvillimor i Qendres Turistike te Brezovicës ka thënë se sa i përket profilit të kompanive të cilat kanë dorëzuar kërkesat për Shprehje të Interesit  janë pesë kompani: ATC Consultants, MK Group, Rilla Ski Resort, Civitel Hotels & Resorts dhe  PGI Management & MDP Consulting

Mbi këtë bazë, sipas tij kompanitë e parakualifikuara do të kenë mundësi që, në fazën e dytë për një periudhë të caktuar kohore, të përgatisin propozimin e tyre për dizajnimin, ndërtimin, operimin dhe financimin e Qendrës Turistike të Brezovicës në përputhje me kriteret dhe afatet e caktuara nga Komiteti Drejtues Ndër ministror.

Qeveria e Republikës së Kosovës patë bërë publike shpalljen për Shprehje të Interesit në gazetat vendore dhe ndërkombëtare (31.01.2013) si dhe informacionet e tjera mbi konferencat e investitorëve në të cilat është prezantuar Projekti i Brezovicës në katër shtete të ndryshme nga zv/kryeministrja e RK-se dhe Ministrja e Tregtisë dhe kryesuesja e Komitetit Drejtues Ndërministror, Mimoza Kusari – Lila si dhe nga Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikolic.

Përmes këtyre aktiviteteve është bërë vlerësimi i tërësishëm i tregut për projektin në fjalë, për të vazhduar më pas me mënyrën më të mirë të zhvillimin të kësaj Qendre turistike malore.

Projekti Zhvillimor i Qendrës Turistike të Brezovicës i shpallur nga Qeveria e Republikës së Kosovës si projekt i rëndësisë kombëtare vlerësohet si një nga destinacionet më atraktive në rajon për zhvillimin e turizmit gjatë tërë vitit, me theks të veçantë në fushën e skijimit.

Komiteti Drejtues Ndërministror i ngarkuar për Projektin Zhvillimor të Qendrës Turistike të Brezovicës përbëhet nga kryesuesja e KDNM-së, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Kryetar i Komunës së Shtërpcës, Ministi i Financave, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, zv. Ministër i Integrimeve Evropiane, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministri i Pushtetit Lokal.

Investimet e reja në Brezovicë, përveç se do të kenë për qëllim kryesor ruajtjen e mjedisit natyror do t’i mundësojnë Kosovës që të bëhet konkurrente me vendet e rajonit në aspektin fitimprurës dhe atë të biznesit turistik.

Përmes këtyre investimeve, në qendrën turistike dhe në bizneset që kanë të bëjnë me turizmit në këtë pjesë do të krijohen vende të reja pune.

Do të ketë punë në fushën e ndërtimit, atë të skijimit dhe po ashtu vende pune në fushën e transportit, hotelerisë, si dhe në ofrimin e mallrave dhe shërbimeve tjera të nevojshme si dhe do të ketë ndikim të tërësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)