Orteku vret 3 turistë në Alpet francëze
Paris, 2 prill - Tre turistë, dy austriakë dhe një italian, janë vrarë nga një ortek në Alpet franceze. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së mërkurës pranë qytetit Briancon, në Parkun Kombëtar “Ecrins”.
Mediat franceze raportojnë se edhe 8 persona të tjerë ndodheshin në zonën e rënies së ortekut, por fatmirësisht arritën të mbijetojnë.
Vetëm njëri prej tyre mbeti i plagosur dhe u dërgua menjëherë në spitalin e Grenoble-s për të marrë ndihmën e nevojshme.
Gjatë kësaj periudhe Parku kombëtar vizitohet nga një numër i madh turistësh.
Zyrtarët vendas thanë për Associated Press se 7 personat janë ende duke qëndruar në zonën mbi 3 mijë metra ku ndodhi ngjarje, deri në momentin e mbërritjes së grupeve të emergjencës.