Operatorët turistik nga Amerika dhe Evropa vizitojnë Kosovën
Prishtinë, 26 gusht - Në Muzeun Etnologjik të Kosovës, është hapur ngjarja Adventure Week Balkans 2014, e cila mbledh rreth 21 tour operatorë ndërkombëtarë dhe media të huaja të cilat do të qëndrojnë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni nga data 25 gusht deri më 4 shtator, ndërsa nga data 25 e deri më 28 gusht do të qëndrojnë në Kosovë.
Kjo ngjarje organizohet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë/Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me ATTA (Adventure Travel and Trade Association) dhe USAID.
Gjatë hapjes kanë qenë të pranishëm përfaqësues të lartë të Institucioneve të Kosovës si dhe përfaqësues ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë.
Me këtë rast të pranishmëve iu është drejtuar zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë z. Cuneyd Ustaibo, i cili fillimisht i informoi rreth vlerave turistike dhe historike që ofron vendi ynë. Unë e kuptoj që jeni të përkushtuar gjatë këtyre ditëve që do të qëndroni në Kosovë dhe shpresoj që do të kënaqeni me bukuritë që ofron Kosova, klimën dhe ambientin e përshtatshëm, njerëzit mikpritës, si dhe kuzhinën e shumëllojshme theksoi Ustaibo.
Ai po ashtu shtoi: Organizimi i kësaj ngjarje ka marrë muaj dhe unë besoj që ju do të kënaqeni me çdo hap të kësaj përvoje. Mbi të gjitha organizimi Adventure Week gjithashtu ka ofruar një mundësi për bashkëpunim dhe kontakte të frytshme me vendet tona fqinje, ka potencuar Ustaibo.
Ndërsa, Chris Doyle organizatori nga ATTA (Adventure Travel and Trade Association) foli për rëndësinë që ka ky projekt dhe rritjen e interesimit të turistëve për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.
Ky projekt është i fokusuar në aventurë turistike që do të thotë kombinim i kulturës, natyrës dhe aktiviteteve sportive. Ky lloj i turizmit sjell shumë benifite në zhvillim të ekonomisë, pasi që për dallim nga turizmi masiv parat mbesin në vend dhe turistët shpenzojnë më shumë kohë dhe para në vend. Ideja e promovimit të këtij turizmi është që të angazhojmë sa më shumë kosovarë në turizëm, si dhe të stimulojmë zhvillimin ekonomik. Kosova ka potencial për të zhvilluar këtë lloj të turizmit, duke e zhvilluar këtë sektorë, ku përveç benifiteve ekonomike në vend ju mund të ruani kulturën dhe natyrën e Kosovës theksoi Doyle.
Gjatë ditëve në vijim tour operatorët dhe mediat huaja nga Amerika Veriore dhe Evropa do të zhvillojnë aktivitete me biçikletë, hiking, kalërim, vizita manastireve, xhamive, rrënoja të lashta, fshatrave gatime tradicionale etj.
Itinerari i tyre do të fillojë me Prishtinë, Novobërdë, Junik, Grykë të Rugovës, Gjakovë, Prizren. Po ashtu me datë 27 gusht 2014 në Gjakovë do të mbahet B2B në mes operatorëve ndërkombëtarë dhe atyre kosovarë lidhur me mundësi bashkëpunimi në të ardhmen.
ATTA është organizatë botërore me më shumë se 1000 kompani dhe organizata anëtare. Anëtarët e ATTA-s janë operatorë, borde turistike, agjentë të specializuar për akomodime me fokus të veçantë në fushën e zhvillimit të turizmit avanturier.
Adventure Week/Western Balkans 2014 pas Kosovës do të vazhdojë në Shqipëri dhe Maqedoni nga data 28 gusht deri 4 shtator.