23 Dhjetor 2024

Ofertë prej 410 milionë euro për Brezovicën

Prishtinë, 17 nëntor - Komiteti Drejtues Ndërministror është takuar sot për t’i shikuar dhe mbështetur rekomandimet e ekspertëve, si dhe raportin e vlerësimit që rrjedh nga propozimi i dorëzuar për projektim, ndërtim, financim dhe operim të Projektit Zhvillimor të Qendrës Turistike të Brezovicës (PZHQTB).

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, në konferencën e mbajtur me këtë rast, ka shprehur kënaqësinë që po prezanton projektin e Brezovicës, projekt që ka filluar punën para dy vitesh dhe ka pasur një proces goxha të vështirë që të arrihet deri këtu.

Ministri Mulaj bëri të ditur se tashmë projekti ndodhet në fazën kur ekspertët e USAID-it, të cilët i ka falënderuar posaçërisht për punën e shkëlqyeshme që e kanë bërë, po bëjnë një evaluim të shkëlqyeshëm të gjithë këtij procesi të ofertës të cilën e ka ofruar konsorciumi që ka konkurruar për projektin e Brozovicës.

“Brezovica është një aset i rëndësishëm për Kosovën  dhe kur Qeveria e Kosovës e ka shpallur me prioritet të veçantë ka pas disa arsye. E para që të arrijë të tërheqë investitorë seriozë që të vijnë në Kosovë, se dyti të këtë një impakt të lartë të zhvillimit ekonomik, jo vetëm të asaj zone por të gjithë Kosovës, dhe së treti ta kemi një resort turistik që të krenohemi, jo vetëm Kosova por edhe më gjerë”, tha Mulaj në fjalën e tij.

Më tutje, Ministri i MTI-së tha se për këtë projekt tashmë është i interesuar një konsorcium, i cili ka afruar një ofertë 410 milionë euro për Brezovicën, me mbi 100 kilometra ski-lift dhe me shumë elemente tjera që i takojnë një resorti.  

Ministri Mulaj po ashtu theksoi se ky është projekti më i madh i Kosovës që nga paslufta për shkak që bëhet fjalë për 410 milionë euro.

Ai ka shprehur përkushtimin e MTI-së dhe komitetit ndërministror që ta përcjellë hapë pas hapi deri në realizimin e plotë të këtij projekti, duke theksuar edhe hapat e tjerë në realizmin konkret të tij.

Ndërkaq, Azem Rexhaj, menaxher i këtij projekti prezantoi hap pas hapi gjithë procesin e këtij projekti.
 
Komiteti Drejtues Ndërministror është takuar sot për t’i shikuar dhe mbështetur rekomandimet e ekspertëve si dhe raportin e vlerësimit që rrjedh nga propozimi i dorëzuar për projektim, ndërtim, financim dhe operim të Projektit Zhvillimor të Qendrës Turistike të Brezovicës (PZHQTB).

Zhvillimi i Qendrës Turistike të Brezovicës është shpallur projekt me rëndësi të veçantë kombëtare, i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës në tërësi. Objektivi i përgjithshëm i PZHQTB-së është tërheqja dhe ofrimi i një operatori/zhvilluesi privat me eksperiencë dhe i kualifikuar me qëllim që të: projektojë, ndërtoj, financojë dhe operojë me hapësirën zhvillimore (me lokacion në Malet e Sharrit, përkatësisht në Brezovicë), në një qendër të nivelit botëror, gjatë katër sezoneve të vitit, përfshirë këtu objektet rekreative dedikuar vizitorëve lokal dhe atyre ndërkombëtarë.

Pas shpalljes se një tenderi ndërkombëtar është dorëzuar propozimi nga ana e një konsorciumi francez, i udhëhequr nga MDP Consulting, - duke veçuar këtu edhe operatorin francez të njohur botërisht, Compagie des Alpes.

Propozimi në fjalë parasheh investime në faza për gjatë periudhës të caktuar me marrëveshje, me ç’rast, periudha fillestare, pra gjatë 3 vjetëve të para, parasheh 165 milionë euro investime. Koncepti zhvillimor i PZHQTB-së, parasheh, po ashtu, objekte me shfrytëzim/ destinim të shumëllojshëm në mënyrë që të ofrohen aktivitete të ndryshme turistike gjatë tërë vitit, përfshirë këtu Aquaparkun dhe Parkun e Avanturave (park me drunj të lartë në të cilat vendosen litarët dhe formohen shtigjet sfiduese për t’u kaluar, për qëllime rekreative).

Zgjerimi i hapësirave do të krijojë shtigje të klasit botëror për skijim, më të gjata se 100 km (më të gjatat në Ballkan) të pajisura me rreth 20 teleferikë dhe pajisje tjera moderne, me standarde të sigurisë dhe të kualitetit më të lartë në rajon.

Zhvillimi i këtij kompleksi turistik është i qëndrueshëm në aspektin mjedisor dhe përfshin objektet me përdorim të shumëllojshëm dhe të shtrira në pjesët më të veçuara të maleve. Në përgjithësi, investimet në këtë pjesë pritet t’i krijojnë më shumë se 3050 vende pune prej të cilave 920 vende pune/pozita do të jenë në resort/kompleksin turistik.

PZHQTB-ja mëton të jetë një kompleks turistik i vetëqëndrueshëm, me ç’rast ofertuesi i përzgjedhur do të jetë përgjegjës për tërë infrastrukturën (rrugët, kanalizimin, trajtimin e ujërave, shërbimet komunale, etj) pra, pa pasur nevojë për investime nga sektori publik.   

Komiteti Drejtues Ndërministror për PZHQTB-në ka konfirmuar se procesi i prokurimit do të vazhdojë dhe se dhënia e kontratës do të bëhet publike në përputhje me Ligjin e Prokurimit.

Megjithatë, me kërkesën e Kryetarit të Komunës së Shtërpcës, nënshkrimi i kontratës nuk do të bëhet  para periudhës kohore prej 90 ditësh.




.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)