Oferta turistike e Shqipërisë prezantohet në Panairin e Moskës
Moskë, 27 mars - Shqipëria mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Moskës Travell & Tourism MITT 2014, në kuadrin e projektit IPA Adriatic Cross Border Cooperation Tur.Grate 2.
Në edicionin e 21-të të këtij panairi Zyra e Shërbimit Turistik, ZSHT prezantoi në kuadër të projektit IPA, Hartën Turistike të Shqipërisë, destinacione të cilat tërhoqën interesimin e turistëve rusë.
Sipas burimeve nga MZHUT, përgjatë 4 ditëve të panairit (19-22 Mars) operatorë shqiptarë turistikë prezantuan ofertën turistike për vizitorët e interesuar dhe patën mundësi të shkëmbejnë kontakte edhe me agjencitë turistike ruse.
Elementët tradicionalë të kostumeve popullore shqiptare që mbanin të veshura hostess-at në stendë, imazhet e Shqipërisë turistike, produktet artizanale të ekspozuara dhe materialet e ndryshme promovuese mbi vendin tonë, tërhoqën një numër të madh vizitorësh në stendë.
Në panairin e Moskës mernin pjesë 1,800 operatorë nga 198 vënde turistike. Panairi i Moskës tërheq një numër të konsiderueshëm vizitorësh dhe në këtë edicion vjen si një event mjaft popullor në Rusi dhe shumë i rëndësishëm për industrinë e Turizmit.
Sipas informacioneve të ambasadës shqiptare në Moskë numri i vizitorëve rusë në vendin tonë është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Rusia është një treg potencial, pasi numri i turistëve rusë që udhëtojnë çdo vit vlerësohet në 31 milion turistë.