Numër rekord turistësh vizituan Spanjën këtë verë
Madrid, 30 shtator - Megjithë krizën e rëndë ekonomike në pjesën më të madhe të Eurozonës, dielli vazhdon të ndriçojë sektorin e turizmit luksoz në Spanjë.
Një numër rekord turistësh të huaj vizituan Spanjën këtë verë, lajm ky i mirëpritur nga një vend i përfshirë nga recesioni gjatë 4 vjetëve të fundit dhe me një papunësi të lartë prej 26.3 për qind.
Costa del Sol është një prej destinacioneve më popullore turistike në gjithë Evropën. Ky bregdet 160 kilometra i gjatë tërheq turistë nga shumë vende dhe shtresa të shoqërisë, të cilët vijnë këtu për të kaluar pak ditë në diellin e nxehtë të Spanjës.
Frontur, agjencia e statistikave pranë departamentit të turizmit, thotë se 7.9 milion vetë vizituan këtë zonë në korrik, 2.9 për qind më shumë se një vit më parë.
Britania kryesoi këtë vërshim turistësh me 1.8 milion vizitorë, e pasuar nga Franca dhe Gjermania me 1.2 milion vizitorë secila.
Sipas agjencisë Frontur, 34 milion të huaj shkuan në Spanjë në periudhën janar-korrik, 3.9 për qind më shumë se para një viti. Zona në Marbella dhe rreth saj ofron dhjetra hotele luksoze, klube plazhi, limuzina me qira dhe kompani private aeroplanësh. Të pasurit vërshojnë në qytetin Puerto Banus. Ky vend ankorimi për jahte luksoze dhe anije me vela ndodhet pranë rrugës kryesore.
Holandezi Edi Koubers vjen me jahtin e tij çdo verë nga Portugalia në Puerto Banus, ku kalon një javë me të shoqen. Ai thotë se këtu nuk ka shenja të krizës ekonomike.
\"Ne nuk ndjejmë krizë këtu. Puerto Banus është një botë në vetvete. Ne ishim edhe në Portugali dhe atje e ndjen krizën, por jo këtu\".
Megjithëse duket si një qytet i vjetër peshkimi, Puerto Banus është vendpushim relativisht i ri, që daton nga vitet 70-të. Në atë kohë, Marbella filloi të përjetonte një zhvillim të madh si destinacion turistik, duke tërhequr super të pasurit.
Dhjetra dyqane luksoze bëjnë biznes të mirë gjatë vitit, por sezoni më i mirë është periudha maj-gusht, periudhë gjatë së cilës turistët shpenzuan mbi 140 milion euro në vitin 2011. Por ndikimi i turizmit luksoz në këtë rajon mund të shikohet më së mirë në shtimin e madh të zhvillimit të pasurive të patundshme dhe shitjes së tyre gjatë 30 vjetëve të fundit.
Kriza ekonomike mund të ketë prekur çmimet e shtëpive në Spanjë, por në Marbella biznesi vazhdon si zakonisht për ata që duan të blejnë ose të marrin me qera një vilë luksoze. Kjo është degë e kompanisë Sotheby\'s International Realty, një prej shitësve më ekskluzivë të pasurive të patundshme në botë.
Menaxheria Kristina Szekely filloi biznesin këtu para 30 vjetësh kur Puerto Banus përjetoi valën e parë të turistëve. Ajo thotë se megjithëse bisnesi vazhdon mirë, ajo ka vënë re një ndryshim të klientëve të saj.
\"Biznesi si zakonisht ndryshon gjithnjë. Prirjet e tregut ndryshojnë, klientët ndryshojnë, po ashtu edhe vendet nga ata vijnë, por ka një kërkesë të madhe në zonën Puerto Banus, Marbella dhe Golden Mile\", thotë zonja Szekely.
Një vilë mesatare këtu ka 6 deri 8 dhoma gjumi, dy dhoma pritjeje, një dhomë buke, pishinë përjashta dhe brënda si dhe një fushë tenisi. Një vilë me 3 deri 4 dhoma gjumi mund të kushtojë nga 800 mijë deri në 1.5 milion euro.
Sipas studimit të Lucas Fox, një prej kompanive më të mëdha të shit-blerjeve të pasurisë luksoze të patundshme, çmimet në zonat më të preferuara të Spanjës kanë rënë me 50 për qind, që prej krizës së viteve 2006-2007.
Por shitjet po shtohen, ndërkohë që blerës britanikë dhe skandinavë po kthehen në treg dhe po shtohet interesimi i investitorëve rusë dhe nga Lindja e Largët.
Vincci Estrela de Mar është një prej hoteleve me 5 yje në Marbella dhe gjatë vitit 2012 kishte një okupim mesatar prej 68 për qind. Gjetkë qetësia dhe transparenca e ujërave të Mesdheut e bëjnë këtë zonë një vend ideal për lundrim me barka dhe jahte.
Çmimet e shitjeve dhe qirave për jahtet luksoze kanë rënë që prej fillimit të krizës ekonomike më 2008-tën, por biznesi ende është i suksesshëm.
Turizmi është industria e dytë më e madhe e Spanjës, pas industrisë së automobilëve.
Një studim i fundit i Organizatës së OKB-së për turizmin në botë e rradhit Spanjën si destinacionin numër 4 turistik në botë, pas Francës, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Turizmi zë më shumë se 10 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm të Spanjës dhe në të punon 11 për qind e fuqisë punëtore.