Një numër rekord vizitorësh zgjedhin Las Vegasin për turizëm
Las Vegas, 12 korrik - Pjesa më e madhe e turistëve nuk shkojnë më për bixhoz, por për argëtime të tjera si koncertet, shfaqjet dhe restorantet me famë.
Një numër rekord vizitorësh po zgjedhin Las Vegasin si destinacion pushimesh. Qyteti në mes të shkretëtirës në shtetin e Nevadës e ka ndryshuar imazhin e tij nga një skenë dëfrimesh në një qytet që ofron një larmi argëtimesh e aktivitetesh, shumë prej të cilave të përshtatshme edhe për pushime familjare.
Ndriçimi vezullues i Las Vegasit është sinonim me qytetin e shkretëtirës që ka marrë famë si një destinacion dëfrimesh. Për dekada me radhë, vargu i hoteleve kazino ka tërhequr njerëz që donin të shijonin jetën e shfrenuar të shpenzimeve marramendëse në lojërat e fatit.
Megjithë vështirësitë që hasi gjatë recesionit të 2008-s, qyteti e ka marrë veten dhe po përjeton një bum të turizmit. Ky sektor gjeneron më shumë se 45 miliardë dollarë fonde për ekonominë lokale dhe mbështet 376 mijë vende pune.
Në vitin 2014 turizmi përdori thuajse 90% të kapacitetit të hoteleve, duke ia kaluar ndjeshëm mesatares kombëtare prej 65%. Pjesa më e madhe e vizitorëve janë nga Shtetet e Bashkuara, por gjithnjë e më shumë po vijnë turistë të huaj, të cilët vjet përbënin 19% të numrit të përgjithshëm të vizitorëve.
Ajo që dallon nga dekadat e mëparshme është se një përqindje në rritje e vizitorëve vijnë në Las Vegas jo për bixhoz dhe lojërat e fatit, por për argëtimet e tjera të qytetit.
Epiqendra e hedonizmit ka filluar të marrë, me sa duket, një pamje më komplekse. E përse jo? Ku tjetër në botë mund të vizitosh New Yorkun dhe Parisin brenda një pasditeje? Në vend të ruletit, vizitorët frekuentojnë restorantet me famë botërore, klubet, sallat e koncerteve ku gjen disa nga emrat më të njohur të muzikës pop si dhe shfaqje spektakolare.