22 Dhjetor 2024

Një fshat piktoresk në Britani del në shitje për 25 milionë euro

Londër, 6 prill - Një fshat i tërë në Jorkshirin Verior (North Yorkshire) të Britanisë së Madhe është nxjerrë në shitje për 20 milionë sterlina (rreth 25 milionë euro), bën të ditur agjencia që mbron të drejtat e familjes pronare.

Heslertoni Perëndimor (West Heslerton), fshat piktoresk në afërsi të Maltonit, ka një rezidencë me 21 dhoma, 43 shtëpi, një shkollë fillore, një kishë, një lokal, një fushë sporti dhe një stacion karburanti në 8,5 km2 sipërfaqe të përgjithshme.

Ky fshat është në pronësi të një familjeje prej më shumë se 150 vjetësh, por është vënë në shitje pas vdekjes së pronares së fundit, Eve Dawnay, në moshën 84-vjeçare.

Eve Dawnay ishte pronare e Heslertonit Perëndimor deri në vdekjen e saj në vitin 2011 dhe tani familja ka vendosur që ta shesë atë.

Agjencia e patundshmërive, që mbron të drejtat e familjes pronare, ka thënë se nxjerrja në shitje e këtij fshati ka zgjuar interesim të madh.

“Të gjithë e donim atë dhe do të ishte e vështirë të gjenim një fshat me kaq banorë besnikë dhe të dashur. Ky është një komunitet i vërtetë, që është pothuajse e pamundur të gjendet sot. Njerëzit e këtushëm janë shumë të mirë\", është shprehur Verena Elliot, motra e të ndjerës Eve Dawnay.

Banorët e fshatit, të cilët formojnë një komunitet dinamik të grupmoshave të ndryshme, shpresojnë që pronari i ri i Heslertonit Perëndimor të jetë një njeri po aq i çiltër e vullnetmirë sa dhe zonja Dawnay, e cila i lejonte të qëndronin kundrejt qirave të ulëta.

Në vitin 2009, një tjetër fshat britanik me 22 shtëpi dhe rreth 5 km2 sipërfaqe bujqësore ishte shitur për 25 milionë sterlina (afro 31,3 milionë euro); kurse në 2014-n një pasanik anglez kishte shpenzuar 11 milionë sterlina (gati 14 milionë euro) për një fshat me sipërfaqe 2 km2, që kishte vetëm një plazh. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)